Fitorja e Shqipërisë me Turqinë në Antalia u komentua gjerësisht si konfirmim i paraqitjeve pozitive të Kombëtares Shqiptare që prej epokës De Biasi. Në fushë u pa një ekip i koordinuar mirë në mbrojtje dhe në mesfushë dhe i rrezikshëm në kundërsulm. Tre dalje nga krahët u finalizuan me tre gola, ku spikati dyshja Roshi-Sadiku dhe grinta e Eros Grezdës.

Në konferencën pas ndeshjes Christian Panucci vlerësoi edhe një herë futbollistët për impenjimin dhe karakterin e treguar në fushë, sidomos pasi Shqipëria mbeti me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Memushajt.

“Besoj që zhvilluam një pjesë të parë të mirë, pasi mbetëm me 10 lojtarët vuajtëm, por kur shënuam golin e tretë arritëm të bënim tonën ndeshjen. Jam i kënaqur me ekipin tim dhe për punën që kemi bërë këto ditë”.

Për turqit humbja me Shqipërinë ishte një tjetër zhgënjim. Presidenti i federatës Yildirim Demiroren, kërkoi një takim urgjent me trainerin Mircea Lucescu, pas të cilit rumuni u konfirmua në krye të pankinës turke, ndonëse shumë analistë sportivë kishin kërkuar shkarkimin e tij.

“E di mirë se çfarë po bej, po ndërtoj një ekip që do të shkojë në europian. Po përpiqem që të gjithë futbollistët të jenë në të njëjtin drejtim. Fillimisht të kontrollojmë lojën pastaj të kërkojmë rezultatin. Kam shumë përvojë dhe nuk shqetësohem nga fjalët se mund të zëvendësohem si trajner. Kemi shumë punë për të bërë dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë sëbashku”.

Lucesku e mori drejtimin e Turqisë në Gusht të këtij viti pas dështimit të Fatih Terim për ta çuar ekipin në kualifikueset e Botërorit të Rusisë.

Tv Klan