Trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci, e konsideron miqësoren ndaj Turqisë si pjesë të projektit të tij për të ngritur një skuadër cilësore për kualifikueset e europianit të ardhshëm. Një ditë para ndeshjes në konferencën e zakonshme për shtyp, italiani vlerësoi futbollistët për impenjimin në një javë grumbullim.

“Këto kanë qenë ditë intensive për ekipin. Kemi punuar në të gjitha aspektet, dhe jam i kënaqur me atë që të gjithë treguan profesionalizëm në stërvitje, duke ditur se kjo është një periudhë e ngjeshur edhe me klubet e tyre. Me kombëtaren nuk ka asnjëherë ndeshje miqësore. Kështu edhe nesër do të shkojë për të fituar. Deri në qershorin që vjen do të kemi edhe prurje të tjera në kombëtare. Do të përpiqem të krijoj një grup shumë cilësor për të shkuar në europian.”

Në të njëjtin projekt dhe mentalitet të trajnerit janë përfshirë edhe futbollistët.

Më herët në një tjetër konferencë për shtyp, Sabien Lilaj dhe Frederik Veseli pranuan se ndaj Turqisë do të luajnë për të fituar, edhe për faktin se një paraqitje e mirë e mirë ndaj Turqisë do t’i konfirmonte ata në pozicionet e tyre./Tv Klan