Pasi humbi me Spanjën dhe një ditë para ndeshjes me Italinë, Kombëtarja shqiptare po kalon një klimë krejt të qetë. Kjo u pa edhe në konferencën për shtyp para ndeshjes së trajnerit Christian Panucci dhe kapitenit Ansi Agolli. Sjellje tejet e ç’tensionuar, mes tyre edhe pse përballë është një kundërshtar i rëndësishëm dhe kombëtares shqiptare i duhet të bëjë një paraqitje të mirë. Ndoshta kjo vjen edhe nga fakti se Italia e ka siguruar play-off-in, por që nuk është as në momentin e saj më të mirë.

Panucci tha se “nuk do të jetë një ndeshje miqësore. Lojtarët duhet të japin maksimumin. Për ne ka rëndësi paraqitja, të luajmë futboll dhe nëpërmjet lojës të fitojmë ndeshjen.”

Por si mund t’i bëhet ballë Italisë. Në letër është një gjë, një tjetër është në fushën e lojës.

“Duhet të kesh gjendje fizike mjaft të mirë t’i përballosh, nuk ka diference Spanja apo Italia kërkojnë gjendje mjaft të mirë për t’i përballuar. 

Nesër është e rëndësishme që ca gjera t’i përmirësojmë në krahasim nga ndeshja me Spanjën sepse nuk është i rëndësishëm vetëm rezultati, por në këto momente është që të ngremë lojën tonë”, tha Agolli.

Dhe tekniku iu dha kurajo futbollistëve.

“Jam italian, por jam krenar që jam trajner i Shqipërisë. Do të jem në fushë me ekipin tim dhe do të më lumturonte që djemtë t’i dhuronin vetes një kënaqësi të madhe përballë Italisë. Jam i bindur se vlejnë më tepër nga sa mendojnë. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Pres një Itali të zemëruar, sepse po kritikohet shumë. Nuk duhet t’i zëmë besë kundërshtarëve, nga të cilët presim të luajnë në mënyrë serioze. Megjithatë, ne duam që të kënaqemi duke arritur një rezultat pozitiv.”

 Për shkak të dëmtimeve dhe ndëshkimeve Panucci është i detyruar të bëjë ndryshime në formacion në krahasim me atë që luajti kundër Spanjës.

Tekniku pritet të rikthejë rreshtimin 4 – 1 – 4 – 1.

Në portë do të jetë Berisha, ndërsa në mbrojtjen me katër do të luajnë Hysaj, Ajeti Mavraj dhe Agolli. Përpara mbrojtjes Kaçe ose Lila.

Në mesfushë Roshi, Memushaj Basha dhe Latifi. Sadiku sulmues i vetëm.

Objektivi për këtë ndeshje, të rezistohet sa më shumë me lojë të mirë ndaj Italisë./Tv Klan