Christian Panucci është zyrtarizuar si trajner i Kombëtares. Detyra e tij do të nisë që me takimet e mbetura eliminatore të Botërorit, por synimi kryesor është kualifikimi në finalet e Europianit të ardhshëm. Panucci tha se do të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë që bëri Gianni De Biasi me Shqipërinë.

“Kërkoja diçka serioze për rrugëtimin tim si trajner. Ishte shumë e thjeshtë që të thoja po. Pasi është prestigj të jesh trajner i Kombëtares. De Biasi ka bërë historinë, por edhe unë do të përpiqem të bëj diçka të rëndësishme, pasi ekipi është. Objektivi është që të shkojmë në Euro 2020”.

Marrëveshja është deri në fund të kualifikueseve të Euro 2020 me të drejtë rinovimi. Në stafin e tij do të ketë italianë dhe shqiptarë, ndërsa ndihmësi kryesor do të jetë Paolo Rodolfi, të cilin e pati bashkëpunëtor edhe të Ternana. Presidenti Armand Duka tregoi edhe arsyet pse zgjodhi Christian Panucci në vend të një trajneri me më shumë përvojë.

“Kemi preferuar Christian Panucci për shkak të grintës së tij, sukseseve me ekipe të mëdha dhe dëshirën për të drejtuar një ekip kombëtar që të arrij suksese”.

44-vjeçari, i cili ka një përvojë të vogël si trajner tha se gjatë kësaj periudhe ka ndjekur shumë ndeshje të Shqipërisë dhe se i njeh lojtarët mjaftueshëm, por nuk do të ketë favorizime.

“Në fushë nuk njoh as babanë tim. Në fushë do të hyjnë më luftëtarët unë nuk bëj favorizime”.

Christian Panucci premtoi se do të përpiqet të ndjehet sa më shumë shqiptar duke mësuar edhe gjuhën sa mundet.

“Unë do të mësoj sa më shumë shqip kur të jem në Shqipëri, pasi më duhet edhe në fushë. Do të mësoj edhe himnin. Unë dua ta respektoj vendin ku punoj”.

Debutimi zyrtar i Christian Panucci do të jetë më 2 Shtator në takimin në shtëpi me Lihtenshejnin.

Tv Klan