24 lojtarë ka grumbulluar Christian Panuçi për miqësoret me Kosovën dhe Ukrainën. Tekniku do të nisë përgatitjet që më 26 Maj me një grup thuajse të rinovuar nga ai që gjeti pas ikjes së De Biazit.

Veç Sindrit Gurit që e ka për herë të parë grumbullimin me kuqezinjtë, tekniku italian ka thirrur qendërmbrojtësin Egzon Binakun nga Malmo. Me fanelën e përfaqësueses do të rivishen Armando Vajushi, Rey Manaj që ndeshjet e fundit i ka luajtur me shpresat dhe Emanuele Ndoji.

Por Panuçi ka lënë jashtë sulmuesit Armando Sadiku dhe Eros Grezda. I pari nuk ka patur shumë hapësira tek Levante, ndërsa i dyti i dëmtuar. Mungojnë edhe mesfushorët Taulant Xhaka, Azdren Llullaku dhe Ladian Memushaj.

Ndeshja e parë miqësore e ekipit kombëtar do të luhet në Zyrih me Kosovën, më 29 Maj, në orën 20:00, ndërsa takimi i dytë me përfaqësuesen e Ukrainës do të luhet në qytetin Evian të Francës më 3 Qershor. Këto dy miqësore do të jenë testi i fundit para takimeve në Ligën e Kombeve dhe ato për Europianin e 2020.

Tv Klan