papaNjë mesazh i fortë për paqen në botë. Kjo ka qënë kryefjala e fjalimit të përvitshëm “Urbi et Orbi” për kremtimin e Pashkës katolike nga Ati i Shenjtë, përpara mijëra besimtarëve në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit. Papa Françesku bëri thirrje për zgjidhjen e të gjitha konflikteve në Europë, Azi, Afrikë e Amerikën Latine.

Papa Françesku: “Për të gjithë popujt e botës të lutemi zot i plotfuqishëm, ti që fitove mbi vdekjen, na dhuro jetën tënde, na dhuro paqen tënde. Krishti u ngjall, ejani të shikoni të dashur motra dhe vëllezër. Gëzuar Pashkën!”

Kremtimi i Pashkës është një nga dy ngjarjet më të mëdha të kalendarit të krishterë dhe këtë vit përkoi që katolikët dhe ortodoksët ta festojnë në të njëjtën kohë ringjalljen e birit të zotit dhe shenjtërimin e tij.

Nën udhëheqjen e patriarkut ortodoks të Jeruzalemit, Theofilit të 3-të, u mbajt ceremonia e njohur si “mesha e zjarrit të shenjtë”, ku mbi 10 mijë besimtarë ishin mbledhur jashtë kishës së vogël të ngritur mbi varrin e Jezu Krishtit.

Ceremoni të ngjashme janë mbajtur në të gjitha kishat ortodokse në botë mbrëmjen e së shtunës duke u gdhirë e diela, përfshi edhe në katedralën kryesore të Moskës, ku në meshë ishin të pranishëm edhe dinjitarët më të lartë rusë. Përpara mbajtjes së ritit, Patriarku rus Kirill u bëri thirrje besimtarëve të luten për paqen në Ukrainën fqinje, shtet i cili po përjeton ditët e tij më të vështira.

Dhjetëra besimtarë në ishullin grek të Hiosit morën pjesë në ritualin e përvitshëm të goditjes me fishekzjarre të këmbanoreve të dy kishave që ndodhen në një distancë prej 400 metrash nga njëra-tjetra.

tvKlan