papa2Vetëm pak ditë nga vizita në Shqipëri, Papa Françesku bëri edhe një lutje për vendin tonë, në një meshë të mbajtur gjatë mëngjesit në sheshin “Shën Pjetër” në Vatikan.

Teksa informoi të pranishmit për vizitën, Papa specifikoi motivin e kësaj vizite në Shqipëri, si një vend që ka vuajtur nga regjimi komunist.

PAPA FRANÇESKU: Të dielën mbërrij në Shqipëri me ndihmën e Zotit. Vendosa ta vizitoj këtë vend sepse ka vuajtur shumë si pasojë e një regjimi të tmerrshëm ateist, ndërsa tani ka bashkëjetesë paqësore mes komuniteteve të ndryshme fetare. Që tani përshëndes me dashuri popullin shqiptar dhe e falënderoj për përgatitjet e bëra për të më pritur. Iu kërkoj të gjithëve të më shoqërojnë me lutje.

Të djelën, Ati i Shenjtë pritet të mbërrijë në aeroport rreth orës 9 të mëngjesit, përmes një ceremonie të posaçme pritjeje nga Kryeministri Edi Rama.

Në vijim, sipas axhendës, udhëheqësi i Vatikanit do të zhvillojë një takim në Presidencë me kreun e shtetit shqiptar Bujar Nishani, ku do të mbajë edhe një fjalim.

Mesha e shenjtë është planifikuar në orën 11 në sheshin “Nënë Tereza”, ku është ngritur edhe altari.

Françesku është i dyti Papë, që vjen në vendin tonë, pas vizitës së Gjon Palit të dytë, në Prill të vitit 1993.

Tv Klan