Pope Francis addresses the crowds in St Peter's SquarePapa Françesku ka bërë një tjetër lutje përpara vizitës së tij të së djelës në Shqipëri.

Sipas të përditshmes së Vatikanit l’Osservatore Romano, Ati i Shenjtë bëri një vizitë surprizë në bazilikën e Shën Mërisë në Vatikan, për t’u lutur përpara ikonës së Virgjëreshës, para nisjes së vizitës në vendin tonë.

Kjo nuk është hera e parë që Papa kryen një lutje në këtë bazilikë përpara nisjes për udhëtime jashtë Vatikanit, veçanërisht në këtë periudhë luftrash dhe konfliktesh, shkruajnë të përditshmet italiane.

Motivin e kësaj vizite Papa e shprehu dy ditë më parë gjatë një audience në sheshin Shën Pjetër, ku tha se Shqipëria është vendi që vuajti shumë si pasojë e një regjimi të tmerrshëm ateist, ndërsa tani egziston bashkëjetesa paqësore mes komuniteteve të ndryshmë fetare.

Këtë e nënvizoi edhe Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për Qendrën Televizive të Selisë së Shenjtë.

Kardinali Pietro Parolin – Sekretar Shteti i Vatikanit: “Dialogu dhe kultura e bashkëbisedimit janë të mundura. Dhe për këtë Papa insiston shumë. Dua të theksoj faktin se Papa preferon të flasë me shembuj konkretë, përmes modeleve. Zgjedhja e Papës për të shkuar në Shqipëri nënkupton pikërisht këtë kontekst.

Ka pasur një persekutim mjaft të ashpër në këtë vend. Mund të themi një shkatërrim të të gjitha kishave dhe vendeve të kultit. Mund të sjellim në kujtesë ekzekutimin e gjithë klerit. Mesa di, përpara periudhës komuniste, vendi kishte 180 – 200 priftërinj. Ndërsa në vitin 1990 mbetën vetëm 33. Një vend ku Zoti u eliminua, u anullua me ligj, duhet të na mësojë se si të jetojmë në marrëdhënie me Zotin”.

Këtë, Kardinali e shprehu edhe në konferencën me temë “Bashkësia fetare në Shqipëri, mes historisë, poezisë dhe besimit”, të organizuar në Selinë e Shenjtë, nga e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Shqiptare në Vatikan, Zonja Majlinda Dodaj.

Në intervistën e tij të fundit, Parolin tha se vizita e Papa Françeskut mund të konsiderohej edhe si një inkurajim për antarësimin në Bashkimin Europian, duke sjellë vlera të veçanta, siç është trashëgimia fetare që i rezistoi represionit të regjimit komunist, apo ndjenjën e fortë të familjes që karakterizon shoqërinë shqiptare.

Tv Klan