papa-francessku

Papa Françesku shfrytëzoi 90 minutat e kthimit me avion drejt Romës, për të treguar përshtypjet e vizitës së tij në Shqipëri.

Radio Vatikani në protalin online shkruan se Ati i Shenjtë u tha gazetarëve që e shoqëronin se Shqipëria, ndonëse me shumicë myslimane, nuk është një vend islamik, por një vend europian, duke nënvizuar bashkëpunimin mes 3 besimeve më të mëdha fetare, Islamit, Ortodoksisë dhe Katolicizmit.

Ai ripërsëriti rëndësinë e kulturës së të jetuarit sëbashku, tolerancës dhe vllazërisë në vendin e vogël ballkanik. Papa tha se ishte i impresionuar nga rinia shqiptare.

Papa Françesku: “Ata më thanë se ky është vendi më i ri në Europë. Ju shihni një kulturë të lartë, të aftë për të ndërtuar vllazërinë”.

Ati i Shenjtë u shpreh gjithasthu se kishte studiuar për 2 muaj historinë e persekutimit në vend, gjatë epokës komuniste, duke u përpjekur të kuptojë më shumë rreth kësaj periudhe të errët të historisë së shqiptarve.

Papa Françesku: “Ishte një periudhë mizore, niveli i mizorisë ishte i tmerrshëm. Kur pashë posterat e të vrarëve gjatë periudhës komuniste, jo vetëm katolikë, por edhe ortodoksë e myslimanë… Kjo ndodhi sepse ata thanë se besonin tek Zoti. Secili prej 3 komuniteteve i ka dhënë një dëshmi Zotit dhe tani i dëshmon vllazërinë e tyre”.

Papa Françesku pranoi se u përlot kur dëgjoi dëshminë e një prifti, që kishte qenë në burg për 27 vite.

Ati i Shenjtë tha se kishte mbetur i impresionuar nga përulësia e tij, pasi i kishte treguar historitë e të gjithë atyre që ishin persekutuar.

Tejet emocionues ishte për Atin e Shenjtë edhe takimi me presidentin Bujar Nishani që siç e përshkoi At Lombardi përcolli mirënjohje e respekt për faktin e veçante se kreu i shtetit shqiptar i takon besimit musliman.

Veç pritjes së rezervuar nga kreu i shtetit Papa Frnaçesku vleresoi edhe frazen e shkruar nga presidenti Nishani në portretin e argjendtë të Papa Klement Albanit të XI ku thuhet se: “Shqipëria sheh tek ju një personalitet të madh, të gjithë njerëzimit. Një mik të shtrenjtë, të cilit sot i ka hapur derën dhe zemrën sipas zakonit të shqiptarve, në të cilën thuhet “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.” Sot kjo shtëpi është dy herë e juaja”.

Tv Klan