Papa Françesku ka kritikuar ashpër disa anëtarë të kishës së drejtuar prej tij, duke thënë se është më mirë të jesh ateist sesa një prej shumë katolikëve që ai tha se kishin një jetë të dyfishtë dhe hipokrite.

“Është skandal të thuash diçka dhe të bësh diçka tjetër. Kjo është jetë e dyfishtë,” tha ai duke folur në një predikim privat mëngjesin e sotëm nga rezidenca e tij.

“Ka nga ata që thonë ‘unë jam shumë katolik, gjithmonë shkoj në meshë, i përkas kësaj dhe asaj lidhjeje’” tha kreu i Kishës Katolike, me rreth 1.2 miliardë anëtarë, sipas Radio Vatikanit.

Papa shtoi se disa prej këtyre njerëzve duhej të thoshin: “Jeta ime nuk është e krishterë, unë nuk u paguaj pagat e duhura punëtorëve të mi, i shfrytëzoj njerëzit, bëj biznes të pisët, pastroj para, kam një jetë të dyfishtë.”

Papa tha se ka shumë katolikë të tillë dhe ky është një skandal. “Sa herë i kemi dëgjuar njerëzit tek thonë ‘nëse ky person është katolik, është më mirë të jesh ateist’,” tha ai.

Që prej zgjedhjes në krye të Kishës Katolike në vitin 2013, Papa Françesku shpesh u ka kërkuar katolikëve, si priftërinjve ashtu edhe njerëzve të thjeshtë, të praktikojnë atë që predikon feja e tyre./tvklan.al