Ish-kryeministri socialist grek Jorgos Papandreu do të dalë përpara drejtësisë  i akuzuar për tradhti të lartë. Një prokuror ka pranuar kallëzimin e një ish-oficeri të marinës dhe çështja do të gjykohet më 19 janar. Akuza bazohet në deklarata që Papandreu, atëherë kryetar i PASOK-ut në opozitë, kishte bërë gjatë fushatës elektorale të vitit 2009.

Përveç akuzës për tradhti të lartë, Papandreu do të gjykohet për mashtrim të elektoratit dhe shpërndarje lajmesh të rreme. Për të tri këto vepra penale parashikohen dënime nga tre muaj deri në burgim të përjetshëm.

Përveç penalizmit të ish kryeministrit, paditësi kërkon që Papandreu t’i paguajë si dëmshpërblim një shumë prej 290 mijë eurosh. Paditësi e argumenton kërkesën e tij me faktin se, siç thotë, ai u besoi premtimeve të Papandreut, të përmbledhura nën moton “Paratë ekzistojnë”.

Ky besim e shtyu që të votonte për socialistët, edhe pse kishte qenë një mbështetës konstant i konservatorëve.

“Pas marrjes së pushtetit, Papapandreu nuk realizoi asnjë nga premtimet e tij. Përkundrazi, të ardhurat e mia dhe dinjiteti im si qytetar shkuan vazhdimisht drejt rënies”, pretendon paditësi.

Në fakt, deklarata e Jorgos Papandreut “Paratë ekzistojnë”, është keqinterpretuar jashtëzakonisht në Greqi. Vetë ish kryeministri ka thënë se qëllimisht u shkëput vetëm ky togfjalësh, në kohën që ai e kishte sqaruar se ku do të gjendeshin këto para./ tvklan.al