Rruga Tiranë – Elbasan i ka kushtuar buxhetit të shtetit dyfishin e asaj që është projektuar fillimisht. Këto vlera i ka dhënë gjatë seancës në Komisionin e Ekonomisë, Ministri Damian Gjiknuri, i cili ka ironzuar nisjen e punimeve për shumë vepra të Shqipërisë me fjalët “aventurizëm” dhe “rrugomani”. Për të, rruga Tiranë – Elbasan duhet të këtë zyrtarë, të cilët do të përgjigjen përpara drejtësisë.

“Ne do të marrim masat që ai projekt të përfundojë në kohë, por drejtësi duhet të ketë.”

Si ministri përgjegjës për zbatimin e 6 projekteve rrugore përmes skemës Partneritet Publik-Privat, Gjiknuri tha se kosto të do të ishte më e lirë nëse do të merrej kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare, por Shqipëria ka ezauruar nivelin e borxhit publik.

“Financimi më i butë do të ishte nëpërmjet institucioneve financiare ndërkombëtare, por këtë nuk e kemi sepse nuk i kemi mundësitë.”

Për vitin e ardhshëm qeveria është duke negociuar me një kompani turke, e cila do të ndërtojë me fondet e saj një aeroport në Vlorë.

“Ka interes të shprehur nga një konsorcium turk për aeroportin e Vlorës, po kryhet një studim për mundësinë e ndërtimit të një aeroporti turistik në Sarandë.”

Që të mbyllen të gjitha veprat në infrastrukturë, të cilat kanë nisur prej vitesh, duhen që buxheti të financojë 250 milion euro. Nga ana tjetër, Shqipëria do të vijojë të mbështesë ndërtimin e hidrocentraleve.

Për vitin e ardhshëm do të nisë puna për HEC -in e Shalës dhe Kalivaçit, ku për këtë të fundit, vendit tonë i është hapur edhe një çështje në Arbitrazh nga kompania në pronësi të Francesco Bechetti-t.

Tv Klan