Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka marrë pjesë në Konferencën Rajonale për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike që u zhvillua në qytetin e Shkodrës.  Çaka tha se për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike që në embrion,  Policia e Shteti ka filluar që në fillim të vitit me masa radikale dhe maksimale.  Çdo punonjës policie ka marrë përgjegjësitë e veta, por edhe çdo strukturë dhe çdo drejtues policie ka marrë përgjegjësitë e veta. 

Fjala e Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako

Në vijim të masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, Policia e Shtetit është duke zhvilluar në të gjitha qarqet konferencat rajonale për këtë qëllim.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka marrë pjesë në Konferencën Rajonale për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike që u zhvillua në qytetin e Shkodrës, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut dhe me praninë e përfaqësuesve të pushtetit lokal, kryepleqve të fshatrave, përfaqësuesve të institucioneve, drejtuesve të Policisë së Qarkut Shkodër, si dhe Specialistëve të Policisë së Zonave .

Drejtori i Policisë së Shtetit, ka falënderuar Prefektin e Qarkut për organizimin e konferencës, përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe të  gjithë pjesëmarrësit, si dhe ka përcjellë tek të pranishmit, mesazhin e qartë se Policia e Shtetit , ka filluar që në fillim të vitit marrjen e masave për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike, dhe është e vendosur për të ndëshkuar cilindo që do të tentojë të kultivojë bimë narkotike, duke bërë të mundur që këtë vit kultivimi i bimëve narkotike të marrë fund.

“Për ta parandaluar këtë fenomen që në embrion,  sivjet ne kemi filluar që në fillim të vitit me masa radikale dhe maksimale.  Çdo punonjës policie ka marrë përgjegjësitë e veta, por edhe çdo strukturë dhe ¬çdo drejtues policie ka marrë përgjegjësitë e veta të përcjella qartazi, me një mesazh të qartë nga Kryeministri i Shqipërisë, nga Ministri i Punëve të Brendshme, nga Drejtori i Policisë se kjo punë ka marrë fund një herë e përgjithmonë.

Kjo përgjegjësi sa do të jetë përgjegjësi institucionale për këdo, do të jetë edhe përgjegjësi personale, pse jo edhe familjare.

Ka një precedent të krijuar pozitiv, i cili bën të përgjegjshëm çdo punonjës policie, i cili me vetëdeklarimin e tij, do të marrë përsipër të pasqyrojë integritetin e vet në raport me një nga misionet më të rëndësishme të Policisë së Shtetit që është lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike, por jo vetëm përgjegjësinë për vetveten, por edhe përgjegjësinë për të gjithë familjarët, dhe duhet të përcjellim përgjegjësinë, se çdo shkelje e ligjit e një familjari, është dhe përgjegjësi e një punonjësi policie në mënyrë të veçantë, i cili përpara se të jetë punonjës policie, është një qytetar, i cili duhet ta ndiejë përgjegjësinë e një bare dhe një shkelje të tillë të ligjit.

Çdo pëllëmbë toke, çdo sipërfaqe e kultivuar ose e identifikuar në mënyrë të proceduar gjatë viteve të kaluara, do të bëhet objekt i një kontrolli intensiv të pashkëputur nga të gjitha strukturat e Policisë.

Ftoj të gjitha Bashkitë, Administratorët, Kryepleqtë, të gjithë përfaqësuesit e tjerë të zgjedhur , të jenë pjesë e grupeve monitoruese dhe kontrolleve në të gjithë territorin pa përjashtim, pa diskutuar dhe sidomos të hapësirave ku janë identifikuar dhe proceduar më parë.

Ftoj të gjitha institucionet që nëpërmjet titullarëve dhe drejtuesve të ndërgjegjësojnë të gjithë punonjësit e tyre, të cilët paguhen nga shteti, janë pjesë e administratës së shtetit por jo vetëm, janë të lidhur ngushtësisht me interesin e vlerësimit të shtetit, qofshin ato edhe biznese private të cilat funksionojnë dhe operojnë në një hapësirë të caktuar juridiksionale, të bëhen pjesë, me punonjësit e vetë, të kësaj iniciative dhe kësaj fushate të jashtëzakonshme, nga e cila nuk ka kthim mbrapa.

Shumica jonë e ka mëse të qartë se prej vitesh të tëra, shumë individë, shpeshherë mbarten me rekorde kriminale për shkak të ndodhjes ose implikimit në veprimtari të paligjshme, sikurse është kultivimi apo trafikimi i lëndëve narkotike.

Ndaj përcilleni këtë mesazh, sepse shteti vazhdon të përmirësohet, por dhe teknologjia do të bëjë punën e vet, jo vetëm për t’u punësuar në Policinë e Shtetit, por edhe në të gjithë administratën dhe institucionet e tjera ku do të dalë i domosdoshëm një “Vetting” i mirëfilltë, i cili përpara se të japë mundësinë ose aksesin për të punuar në një institucion, do të duhet të bëjë një retrospektivë të veprimtarisë së gjithsecilit.

Nuk po diskutoj për punonjësit e Policisë të cilët e kanë marrë mesazhin në mënyrë kategorike. Çdo punonjës Policie, i cili jo vetëm që nuk përcjell informacion, jo vetëm që nuk reagon, por me inaktivitetitin e tij mund të sjellë pasoja të tilla që lejon ose toleron kultivimin, pa vënë në dyshim pastaj individë ose punonjës policie të cilët me ndërgjegje bëhen pjesë e implikimit dhe pjesë e organizatave të strukturuara kriminale, nuk kanë vend në polici dhe ashtu sikurse e përmendi edhe sot Ministri i Punëve të Brendshme, do t’i nënshtrohen të gjithë “Vettingut”, si një nga detyrat kryesore që është çështja e integritetit. Nuk mund të ketë punonjës policie pa integritet, dhe pa integritet nuk ke se si t’i shërbesh komunitetit, nuk mund të japësh shembullin më të mirë, duke qenë vetë shembulli i keq.

Çdo pëllëmbë toke, çdo centimetër, do të ketë përgjegjësit e vet, jo vetëm për të kontrolluar, por edhe për t’u përballur me ligjin, me zbatimin ose moszbatimin e ligjit.

Jam shumë i bindur që mesazhi që na përcjell, Kryeministri, Ministri, unë personalisht, ju, do ta përcjellim në stafetë deri në skajin më të fundit, dhe ju siguroj edhe një herë se Policia e Shtetit krahas detyrave të tjera, prioritet absolut ka luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.

/tvklan.al