Kryetar i Partisë së Lirisë në Holandë, Gert Wilders, është paraqitur me jelek antiplumb në debatin televiziv me kryeministrin Mark Rutte, për të treguar se Holanda nuk është më një vend i sigurt.

Kjo lëvizje e tij ka shkaktuar debat të madh në rrjetet sociale. Ky ishte debati i parë televiziv mes tyre dhe vjen dy ditë para se holandezët t’u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet e përgjithshme.

Mark Rutte dhe Wilders u takuan në një sallë në Universitetin e Erasmus-it në Rotterdam, ku diskutuan me studentët dhe stafin e universitetit.

 Gjatë debatit Wilders i kërkoi Ruttes të dëbonte ambasadorin e Turqisë, duke theksuar se gjithçka tjetër do të ishte sulm ndaj Holandës.

 Wilders, i etiketuar si ekstremist dhe islamofob, vazhdimisht e quajti Rutten si të pabesueshëm gjatë debatit, ndërsa Rutte e akuzoi atë se “ulej në divan dhe përdorte Twitterin”. Kryeministri i Holandës ripërsëriti se partia e tij nuk do të bashkëpunonte kurrë me partinë e Wildersit në qeveri.

Roderik van Grieken, nga instituti holandez i debateve tha se Rutte u paraqit më mirë në debat, veçanërisht tek pjesa e debatit mbi emigrantët.

Gara mes Rutte dhe Wilders duket shumë e ngushtë, me kryeministrin Rutte që kryeson së fundmi në sondazhe. Qëndrimi i tij i vendosur për të mos lejuar ministrat turq të mbajnë mitingje elektorale në Holandë kanë ndihmuar në rritjen e popullaritetit të tij. /tvklan.al