Kryetari i Partisë Demokratike ka vendosur të ngrejë një “parlament” të ri në tendën ku po zhvillohet protesta e opozitës shqiptare, para kryeministrisë.

“Nesër në këtë tendë, do të nisë punimet Parlamenti i ri shqiptar. Nesër nga kjo tendë, nga kjo tendë ftoj çdo deputet jo të lidhur me krimin, pa rekodre kriminale, të vijë në këtë aulë të vërtetë të demokracisë, sepse ky është Parlamenti Shqiptar,” tha lideri demokrat, Lulzim Basha. 

Ai tha se grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bëjë seancën parlamentare në shesh, me qytetarët.

“Deputetët e opozitës do të jenë të gjithë këtu. Këtu është vendi për çdo deputet tjetër të majtë që nuk është i lidhur me krimin që nuk i ka borxh këtij populli.”

Por, Basha shtoi se “të vetmit që nuk janë të ftuar në këtë tendë e të mos u shkojë mendja t’i afrohen këtij parlamenti popullor, janë 19 deputetët me rekordet kriminale. Ata nuk kanë vend këtu dhe atje ku janë do t’i nxjerrim së shpejti.”

Kryetari i Partisë Demokratike tha se kush është i lidhur me krimin të rrijë tek parlamenti që ai e quajti “ fasadë”  derisa “populli t’i nxjerrë me fuqinë e votës së lirë.”/tvklan.al