Projektligji për mbrojtjen e pakicave kombëtare përplasi në parlament kreun e Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule me kryeministrin Rama. Që në nisje të seancës Dule e cilësoi futjen në rend të ditës nga ana e kryetarit të kuvendit në shkelje të rregullores.

Hedhja në votim nga ana e kryeparlamentarit Ruçi për ta futur në rend të ditës këtë projektligj u be shkak për nisjen e debateve.

Me nisjen e diskutimeve, Dule tha se projektligji bie ndesh me konventën kuadër të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Minoriteteve.

“Deri sot kishim konventën kuadër, kishim edhe shkeljen e konventës kuadër me ligjin për cenusin e republikës. Sot vjen qeveria e zotit Rama dhe e sanksionon këtë shkelje në nenin 5 të këtij ligji, kur thotë se: Minoritet se ku janë se kush janë do të përcaktohet në bazë të ligjit. Ligji i zotit Rama na thotë se ne do të respektojmë këto të drejta në bazë të ligjislacionit mbi censusin, d.m.th në shkelje flagrantë të konventës kuadër.”

Pa ironizuar nuk la as kryeministrin Rama, me të cilin u përfshi në replikë.

“Proteston kryeministri deri në mediat më prestigjiozë të Europës se kjo Europë në formën e BE qënka e padrejtë me vendin tonë, në fakt me qeverinë e tij, sepse qenka qeveria e tij që i rëndon këtij vendi dhe i garanton këtë trajtimin nga ana e partnerëve ndërkombëtarë, dhe ka ankesa.”

Ndërsa Rama i kujtoi se është krenar për ligjin.

 “Vangjeli, ti e ke bërë rrugë të më citosh gabim, sa herë vë fjalët e mia në gojën tënde. Nëse nuk do të të njihja do të mendoja se e ke nga mendjeleshtësia, por duke të njohur si burrë të mençur, ti je i qëllimshëm sa herë që vë në gojë gjëra që unë si kam thënë kurrë dhe sa herë  përpiqesh ti interpretosh për llogarinë tënde ato që unë them. Evropa, Vangjel nuk është as kishë, ku nuk vendoset në diskutim Zoti, as xhami ku nuk vihet në diskutim Allahu. Ligji është krenari për këtë parlament mbasi të miratohet dhe arsye që të tjerët rreth nesh të mësojnë nga ne se si respektohen minoritetet.”

Pjesë e debatit u bë edhe ish-kryeministri Berisha.

“Ajo që është e papranueshme është se ky ligj që paraqitet nga Ministria e Jashtme sikur çështjet e minoriteteve janë afera të jashtme të këtij vendi. Këto janë çështje të lirive dhe të drejtave të minoriteteve dhe qe në momentin që ti e imposton problemin si çështje e Ministrisë se Jashtme, ti veçse krijon mollën e sherrit në një ministri që është faktuar disaster.”

Projektligji për mbrojtjen e pakicave kombëtare njeh për herë të parë ekzistencën e minoritetit bullgar në Shqipëri. Pak ditë më parë në komisionin e ligjeve Ministria e Jashtme u tërhoq nga qëndrimi fillestar për të mos e njohur këtë komunitet si minoritet, pas shqetësimit të ngritur nga disa europarlamentarë./Tv Klan