Parlamenti i Kosovës mblidhet sot për të votuar kabinetin e ri qeveritar me kryeministër Ramush Haradinajn. Seanca plenare pritet të fillojë në orën 16:00, por zgjedhja e qeverisë mund të vonojë, madje mund të shtyhet deri në mesnatë.

Kjo për shkak se në seancën e jashtëzakonshme pritet të flasin të gjithë deputetët opozitarë, të cilët sipas rregullores kanë të drejtë fjale nga 10 minuta.

Qeveria e re e Kosovës do të ketë 5 zv/kryeministrja, nga të pesta partitë e koalicionit fitues, përfshirë edhe Listën Serbe.

Shumica e ministrave janë bërë publikë tashmë. Behxhet Pacolli, aleati i fundit i koalicionit PAN, do të mbajë postin e zv/kryeministrit dhe minitrit të jashtëm, ndërsa forca e tij politike pritet të ketë edhe ministrinë e brendshme, atë të zhvillimit ekonomik, si edhe ministrinë e mjedisit.

PDK e kryeparlamentarit Veseli do të ketë 5 ministri kryesore, atë të financave, drejtësisë, shëndetësisë, ministrinë e Integrimit, ministrinë e kulturës dhe atë të inovacionit.

Me sa duket posti i kryeministrit, i ka kushtuar disa portofole ministrore Ramush Haradinajt. Partia e tij do të marrë vetëm ministrinë e mbrojtjes dhe atë të infrastrukturës.

NISMA e Fatmir Limajt do të ketë 3 ministri. Po ashtu edhe Lista Serbe, e cila me 9 deputetët e saj është kthyer në një faktor kyç në shumicën e re parlamentare, do të ketë 3 ministri, mes tyre atë të Bujqësisë, që u pretendua më herët edhe nga AKR.

Haradinaj, i nominuari i koalicionit PAN, mori të enjten mandatin nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, fill pas zhbllokimit të parlamentit dhe zgjedhjes së Kadri Veselit si kryetar i parlamentit me 62 vota pro dhe 52 kundër.

Tv Klan