Partia Socialiste hap sot fushatën për Tiranën pak metra para çadrës së opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Lajmi fillimisht u njoftua nga Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm, ku tha se pavarësisht sa është bërë, “Ende ka shumë për të bërë për Tiranën që duam por shumë ka për të humbur nëse ndalemi sot. Prandaj do të jemi më shumë se kurrë më parë sot, në 18:00 tek Piramida”.

Po ashtu, kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Saimir Tahiri tha se “Sot me shume se dje, ka motiv për tu bere bashkë për shqiptarët e thjeshtë që nuk u del koha të kuptojnë shumë nga politika e madhe, por që duan një punë, duan mirëqenie për familjen, duan drejtësi dhe shtet që t’i shërbejë e mbrojë. Njofto kë mundesh, takohemi sot në 18.00 te Piramida”.

Mitingu për hapjen e fushatës në Tiranë vjen pasi Kryeministri Rama dhe kryedemokrati Basha ranë dakord me pikat e paketës McAllister Plus për t’i dhënë fund krizës politike në vend duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje.

Çadra e opozitës vijon të jetë në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe nuk është njoftuar ende se kur do të mbyllet./tvklan.al