Partitë shqiptare kanë komentuar programin qeveritar, i shpalosur në mënyrë joformale jashtë Kuvendit, në të cilin sipas pretendentit për kryeministër të Maqedonisë, liderit të LSDM-së, Zoran Zaev nuk parashikohet që gjuha shqipe të përdoret në monedha e në bankënota dhe në uniformat policore, pasi kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejt me Kushtetutën e Maqedonisë.

Lëvizja për Reforma-PDSH vlerëson se kjo parti është e interesuar të respektohet vullneti i shumicës, ndërsa për platformën e shpalosur thonë se do të jetë e kujdesshme që të respektohet çdo pikë e marrëveshjes mes partive shqiptare.

Është e rëndësishme që të zbatohet vullneti i shumicës së elektoratit, i cili në mënyrë të qartë u shpreh se është i interesuar për ndryshime rrënjësore dhe për një qasje të re në drejtim të barazisë së plotë. Sa i përket 15 parimeve prioritare që shpalosi LSDM, “Aleanca për shqiptarët” vlerëson se partitë politike shqiptare në Programin e zgjeruar qeveritar do të jenë vigjilente që të përfshijnë të gjitha pikat me interes të lartë kombëtar dhe qytetar –  thanë nga LR-PDSH-ja.

Nga ana tjetër as Lëvizja BESA në mënyrë të drejtpërdrejt nuk ka komentuar mospërdorimin e shqipes në valutën e vendit dhe në uniforma. Kjo parti do të përmbahet në komentimin e detajeve deri sa kryetari i LSDM-së të marr mandatin për kryeministër. Megjithatë kjo parti thotë që programi i LSDM-së duhet të mbindërtohet.

 

Programi të cilin e ka prezantuar dje LSDM-ja është një kornizë e cila duhet të mbindërtohet për të qenë gjithëpërfshirës edhe sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët si kombi i dytë më i madh në Maqedoni. Lëvizja BESA në këtë fazë do përmbahet nga komentimi i detajeve për këtë program të ofruar nga LSDM-ja, për arsye se edhe më tej nuk është zhbllokuar çështja e ndarjes së mandatit për kryetarin e LSDM-së. Pasi LSDM-ja ta marrë mandatin, ne do t’i japim vërejtjet dhe sugjerimet tona – thuhet në qëndrimin e Lëvizjes BESA.

Nga BDI mbesin në qëndrimin e njëjtë se dygjuhësia në kartëmonedha dhe uniformat e policisë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën

 

Përfshirja e shqipes në bankënota dhe uniforma është në përputhje me aktin më të lartë juridik njësoj sikurse pasaportat që janë në dy gjuhë dhe përdoren në vend madje edhe jashtë tij – thanë nga BDI.

Një ditë më parë lideri i LSDM-së Zoran Zaev i dha 10 ditë afat presidentit Ivanov që ti dorëzoj mandatin, ndërsa në programin e tij qeveritar dominojnë ekonomia dhe sundimi i ligjit./Alsat M