I kënaqur me pikët dhe lojën e skuadrës, Sulejman Starova është shfaqur optimist një ditë para takimit me Teutën. Trajneri gjithsesi pranoi se në këtë përballje mund të ketë mungesa.

“Bardhi është duke kaluar një gjendje gripale dhe nesër do të marrim vesh nëse do të jetë i gatshëm. Rotacion nuk kam pse të bëj, nëse do të jetë, ose jo Bardhi. Një futbollist mund të zëvendësohet kokë për kokë. Teuta është një skuadër që ka pasur luhatje, por luan futboll të bukur dhe ka një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri.”

Tekniku ndërkaq ka vlerësuar Gerhard Prognin i cili po rezulton vendimtar në ndeshjet kur luan në repartin e sulmit.

 “Progni sulmues ka luajtur gjithë kohën. Ne kemi kënaqësinë që Progni ka ardhur në formën e vet. Është një lojtar që është rritur në akademinë e Partizanit dhe është rikthyer pas një ekskperiencë jashtë Shqipërisë. Edgar Çani? Ai nuk është i gatshëm për të luajtur futboll. Nuk mund të marrë ngarkesën si gjithë lojtarët e tjerë. Nuk bëhet fjalë të jetë pjesë e skuadrës me këtë gjendje që ka tani.”

Starova paralajmëroi edhe një largim tjetër nga Partizani në merkaton e janarit. Hungarezit Adorjan, mund të mos jetë më pjesë e të kuqve nëse nuk pranon ulje të pagës.

Tv Klan