I riu Tërpollari është viktima e fundit e overdozës në kryqytet. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Arbër Tërpollari ishte përdorues i rregullt i heroinës prej të paktën 10 viteve.

Së fundmi ai kishte tentuar të hiqte dorë nga përdorimi i saj, por i ishte rikthyer sërish vesit të vjetër. Konsumi për herë të fundit i heroinës rezultoi dhe fatal për të, duke pësuar një ataku kardiak që fatkeqësisht i mori dhe jetën.

Pas 3 ditësh, vetëm heshtja mbiztëron në shtëpinë ku ai jetonte me prindërit, bashkëshorten dhe dy fëmijët. Të afërm të tij pohojnë për Klan Plus se Tërpollari kishte një jetë të rregullt familjare, ishte i dypunësuar, kujdesej për prindërit e sëmurë dhe nuk të krijonte përshtypjen e një personi të varur nga narkotikët.

“Djalë i sjellshëm, familjarë si gjithë të tjerët. Nuk e njihnin që të kishte opinion të keq. Shumë çun i mirë, na respektonte në lagje”.

Godina në të cilën ai u gjet i pajetë nuk është një vend i panjohur për banorët apo për policinë, të cilët janë në dijeni edhe të personave të cilët e ferkuentojnë atë cdo ditë për të marrë sasinë ditore të drogës

“Gjithë drogaxhinjtë këtu rrinë. Po të shikosh aty brenda pisllëk i gjallë. Era e keqe, nuk rrihet”.

Për ironi kjo ndërtesë prej 27 vitesh është në kushte të tilla, por jo zona përreth, ku ndodhet  shkolla 9 vjecare “Lasgush Poradeci”, qendra shëndetësore 6, si edhe rajoni i policisë së kombinatit.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Megi Fagu