Disa javë më parë, emisioni “STOP” denoncoi përmes intervistës së infermierit të Urgjencës, Frrok Bardhi, vdekjen e ish – zëvendësministrit të Brendshëm, Sokol Baraj, për mungesë të një defibrilatori. Bëhet e ditur se Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për këtë ngjarje, pas deklaratave në media. Emisioni “STOP” ka ngritur disa herë çështjen e mungesës së kushteve në Urgjencën e Tiranës dhe së fundmi edhe vjedhjen e një defibrilatori.

Frrok Bardhi ka rrëfyer në emisionin “STOP” mungesën e defibrilatorit në ambulancën e Urgjencës dhe se ky, sipas tij është shkaku i vdekjes së ish – zëvendësministrit të Brendshëm, Sokol Baraj, më datë 11 Mars 2017.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për shkaqet e vdekjes së tij, nisur nga denoncimi i bërë në emisionin “STOP”. Frrok Bardhi ka deklaruar se Baraj ka patur atak kardiak dhe se mjekët në mungesë të defibrilatorit, i kanë bërë masazh vetëm me duar. Pas verifikimeve nga prokuroria, ka rezultuar se ambulanca me targa TR9915K, e cila ka shoqëruar ish-zëvendësministrin Baraj, nuk e ka këtë pajisje.

Por një tjetër denoncim ka ardhur në redaksinë e emisionit “STOP” për të njëjtën çështje, mungesën e defibrilatorit në ambulancën e Urgjencës. Këtë herë ajo është dhënë në vitin 2015 për t’u riparuar në Qendrën Vullnetare të Emergjencave Civile, e pa shoqëruar me një fletë dalje dhe e pa deklaruar në inventarin e Urgjencës së Tiranës, por në rrethana të çuditshme është vjedhur./tvklan.al