Një ditë pasi u prit në një takim nga Presidenti turk Erdogan, kryeministri Shqiptar Edi Rama është takuar edhe me kryeministrin turk, Binali Yildirim.

Agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu Agency” raportoi se Yıldırım dhe Rama janë takuar në Zyrën e Kryeministrit në Dolmabahçe, në një takim të mbyllur për media që zgjati 30 minuta.

Të dy kryeministrat para takimit zhvilluan një shëtitje në oborrin e zyrës së kryeministrit. Gjatë kësaj kryeministri turk Yildirim i foli Ramës në lidhje me Gjirin e Bosforit si dhe vendet historike.

Takimi me Yildirim në pallatin në brigjet e Bosforit erdhi pas drekës së shtruar nga ana e presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan për nder të liderëve që kanë marrë pjesë në Kongresin e 22-të Botëror të Naftës.