Në fillim të muajit Mars, përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini viziton Tiranën.

Teksa e konsideroi punën me Ballkanin Perëndimor si prioritet kyç, Mogherini tha se do të punojë që secili prej partnerëve në këtë rajon në zemër të Europës, të ecë përpara në rrugën e reformave drejt BE.

Duke folur përpara vizitës së saj, zyrtarja e BE theksoi se bashkëpunimi dhe marrëdhënia e fqinjësisë janë elementët thelbësorë, që procesi i integrimit të jetë i pakthyeshëm.

Vizita e përfaqësuses së lartë të BE, në Shqipëri vjen pas asaj të eurodeputetit Knut Fleckenstein, si dhe në një periudhë të tensionuar politike. Aktualisht në Shqipëri, Flekcenstein theksoi këtë të mërkurë se nëse zgjedhjet parlamentare shkojnë shumë mirë, atëherë të gjitha grupet në PE janë pro hapjes së negociatave.

Ndërsa Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn, në një deklaratë shprehu keqardhje për bojkotin e parlamentit nga opozita, e cila prej 5 ditësh po proteston para Kryeministrisë. Hahn u shpreh se, debati politik nuk duhet të bëhet jashtë, por brenda parlamentit.

Mogherini, njëkohësisht edhe Zv/Presidente e Komisionit Europian do të vizitojë disa vende të Ballkanit në turin e saj 4 ditor, nga data 1 deri më 4 Mars. Përveç Shqipërisë, ajo pritet të vizitojë edhe Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Bosnje – Hercegovinën e Maqedoninë./tvklan.al