Për krizën e Katalonjës, presidenti rus Vladimir Putin e ka gjetur shkaktarin. Është Bashkimi Europian, që sipas tij ka nxitur ndjenjat separatiste jo vetëm në Europë, por në gjithë botën, që kur shumica dërrmuese e shteteve anëtare të unionit mbështetën pavarësinë e Kosovës.

“Mbështetja unanime që Bashkimi Europian i dha shkëputjes së Kosovës rezultoi një pikë kthese. Europa tashmë po përballet me pasojat e politikave dritë-shkurtëra, që synonin të kënaqnin vëllain e madh nga Uashingtoni”,

tha Putin.

Putin e konsideroi si paradoks, që tani Bashkimi Europian dhe shtete të tjera po e dënojnë unanimisht pavarësinë e Katalonjës. Siç u shpreh shefi i Kremlinit, Europa duhej t’i kishte bërë mirë llogaritë më herët.

Presidenti rus i konsideroi si pasoja të vendimit të Bashkimit Europian edhe referendumin për pavarësi të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014, që pasoi me bashkimin e gadishullit me Rusinë. Përveç Katalonjës, Putin tha se edhe rajone të tjera duan tani të shpallin pavarësinë siç ishte rasti i kurdëve të Irakut.

Komentet, shefi i Kremlinit i bëri gjatë fjalimit të tij përpara klubit “Valdai” që po zhvillon punimet në Soçi. Klubi Valdai u themelua në 2004 nga Rusia, me qëllim promovimin e dialogut mes elitave indelektuale ndërkombëtare për të diskutuar zhvillimet politike, ekonomike e sociale.

/ABC News