500 fidanë të rinj në Liqenin e Kasharit



Bashkia e Tiranës, përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, ka nisur rehabilitimin e Parkut të Liqenit të Kasharit, ku veç pastrimit dhe mirëmbajtjes së liqenit, po i kushtohet vëmendje edhe pyllëzimit të zonës përreth. Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u bë pjesë e aksionit, ku u mbollën 500 fidanë të rinj pemësh, dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen masivisht nesër aksionit të bashkisë për pastrimin e Tiranës në një ditë.

Është e rëndësishme të kuptojmë se pastrimi nuk është monopol i bashkisë. Të gjithë duhet të kontribuojmë për ta mbajtur qytetin pastër. Kjo është arsyeja pse nesër ftojmë të gjithë qytetarët për një aksion të madh pastrimi, për të treguar se jemi popull dinjitoz, që nuk e harrojmë higjienën tonë dhe që kemi kuptuar se ky nuk mund të jetë vetëm një objekt pune i bashkisë dhe i punëtorëve të bashkisë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se përveç punës së përditshme të kompanisë publike “Eco Tirana”, është e domosdoshme edhe kontributi i çdo qytetari, që jo vetëm të mos ndosin ambientin e përbashkët, por edhe të angazhohet në aksione të tilla. “Po bëjmë maksimumin për një Tiranë të pastër. Tirana sot është shumë herë më e pastër, por kur vjen puna poshtë pallateve, te shkallët, nuk ndot as bashkia as ndonjë forcë tjetër madhore, por janë vetë banorët të cilët mund të ndihmojnë që ta mbajmë pastër. Ndaj, në frymën e shumë aksioneve që kemi pasur edhe vitin e kaluar, ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të marrin pjesë në një aksion të madh pastrimi, ku secili pastron territorin e vet. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërgjegjësojmë qytetarët që të mbajnë një Tiranë edhe më të pastër se Tirana e pastër që kemi sot”, shtoi Veliaj.

Duke u ndalur te puna që po bëhet me rehabilitimin e Parkut të Kasharit, ai vlerësoi ndryshimin që ka pësuar kjo zonë brenda një kohe të shkurtër. “Kur isha këtu vetëm përpara pak ditësh, e gjithë zona ishte një ferrishte. Sot është pastruar, toka është rigjeneruar dhe po mbjellim 500 fidanë të rinj. Jam i lumtur sepse po marrin formë dy parqe kryesore, të cilat kemi për ambicie t’ia lëmë si pajë Tiranës. Një prej tyre është Parku i Farkës, ku progresi është edhe më i madh, po mbajmë hapin në Parkun e Kasharit. Pastrojmë, heqim inertet, ferrat, rehabilitojmë tokën dhe tarracat ku do të mbillen pemët dhe mandej nis mbjellja”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai theksoi se puna për të shtuar gjelbërimin përmes mbjelljes së pemëve në Tiranë do të vazhdojë edhe gjatë muajit prill, për të shfrytëzuar të gjithë kohën e lejueshme kur mund të mbillen pemë.

Veliaj kërkoi që qytetarët të kujdesen për fidanët e mbjellë dhe të mos i dëmtojnë ato, pasi zhvillimi i këtyre parqeve, përveçse krijon një alternativë për argëtim, sjell një rritje të vlerës së pronës së banorëve që jetojnë afër tyre. Kryebashkiaku e vlerësoi fantastike punën që është bërë në drejtim të gjelbërimit dhe mbjelljes së pemëve, ndërsa theksoi se një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luajnë të ardhurat që vijnë nga parkimi me pagesë. “Ky ka qenë një vit fantastik, ndoshta një vit rekord për mbjelljet në Tiranë. Mijëra prej tyre janë mundësuar nga vetë qytetarëve. Shumë njerëz pyesin si mund të kem ndihmuar unë për mbjelljet kur nuk më ka thënë gjë njeri. Në fakt, thjesht prej faktit që dikush ka parkuar duke përdorur sistemin “SMS Parking”, duke çuar targën në nr. 50500, praktikisht paratë e parkingut i ka çuar për këto mbjellje”, theksoi Veliaj.

Ndërkohë, në kuadër të aksionit të pastrimit që do të zhvillohet nesër, Veliaj zhvilloi një takim me administratorët e të gjitha njësive të kryeqytetit për të koordinuar punën. Kreu i Bashkisë kërkoi prej administratorëve angazhimin për reduktimin e ndotjes në zonat që ata kanë në varësi, si dhe identifikimin e atyre që cenojnë mjedisin. “Kemi një aksion në gjithë qytetin, ku do të fokusohemi kryesisht në akset dhe rrugët kryesore. Edhe kultura në fakt ndryshon prej aksioneve të tilla të pastrimit. Në një vend të pastër është shumë e vështirë të bësh pis. Ndaj do të doja shumë që jo vetëm ta bëni këtë, por edhe të identifikoni kush janë ndotësit kryesorë”, tha Veliaj.

Aksioni për pastrimin e Tiranës do të nisë nesër në orën 9.00 të mëngjesit./tvklan.al

 

Kategori
Lajmet KryesoreSocialeTe funditTë gjithaVideo
1 Koment
  • Tim
    25 Mars 2017 at 12:56
    Përgjigju

    Dita e Enverit?

  • Përgjigju

    *

    *