Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka theksuar të hënën se pavarësisht se ka mbetur jashtë listave për kandidatë për deputetë të kryetarit Lulzim Basha, është jetike që deri në zgjedhje të mbështeten demokratët dhe PD-ja kundër Ramës.

Patozi tha se ishte habitur nga ato që kishte lexuar në media pas takimit të sotëm me Jozefina Topallin, Ridvan Boden, Arben Imamin, Majlinda Bregun, Keltis Krujen, Dash Sulen etj, drejtues historikë të PD-së, që janë lënë jashtë listave nga Basha.

Ai nënvizoi se “

se sot qe po flasim, ne jemi në fushate dhe betejën e vetme dhe me të rëndësishme e kemi me kundërshtarin përballë, i cili është Partia Socialiste dhe Edi Rama. Ndaj, duke besuar fort ne kauzën tonë, deri me 25 qershor duhet të qëndrojmë në mbështetje të çdo demokrati dhe të Partisë Demokratike.

Sa për teoritë e konspiracionit është, jo vetëm fenomen shqiptar, se shtypi është i prirur që edhe aty ku nuk gjenden, ai t’i krijojë. Ndaj për të shmangur çdo keqkuptim mund të them me dy fjalë se me koleget kemi ndarë shqetësimin e përbashkët se Partia Demokratike, për shkak të udhëheqjes së gabuar, ka rrëshqitur në shtigje të panjohura dhe të rrezikshme dhe se ajo duhet të kthehet sa më parë që të jetë e mundur në shtratin e saj. Prej të cilit, sipas meje, është larguar tmerrësisht shumë dhe se nuk ka asnjë shans të mos kthehet

“, shkroi në Facebook ish-kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që së bashku me ish-Ministra si Imami dhe Bode e me ish-kryetaren e Parlamentit Topalli, u la jashtë listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 qershorit. 

 

/tvklan.al