Me një mesazh drejtuar demokratëve që u bënë pjesë e asaj që ai e cilëson farsë elektorale, ish- nënkryetari Astrit Patozi i krahasoi zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike të ngjashme me ato të Koresë e Veriut.

“E them me dhimbje, por ne sot mund të krahasohemi vetëm me Korenë e Veriut, ku udhëheqësit i tolerohen dhe i falen të gjitha, madje edhe krimet. Sepse në partinë tonë po humbet gati në mënyrë të pariparueshme sensi i marrjes së përgjegjësisë. Si askund tjetër, në Europë, Ballkan, madje edhe në Shqipëri”.

Patozi flet jo vetëm për rezultat të paracaktuar, por edhe shifra fiktive të pjesëmarrjes në zgjedhje.

“Me keqardhje konstatoj që me votën tuaj të sinqertë sot janë tallur mizorisht. Lulzim Basha kryesisht, por ndoshta edhe të tjerë. Sot halli i Lulzim Bashës nuk ka qenë se cili do të jetë fituesi, sepse ai është i paracaktuar. Problemi i tij ka qenë pjesëmarrja, ndaj edhe gjë mbi këtë tokë nuk është lënë pa bërë që ajo të shkruhet sikur ka qenë e lartë”.

Për ish-nënkryetarin e Partisë Demokratike meritë për rrëmbimin e mandatit të kryetarit nga Lulzim Basha ka edhe kandidati tjetër Eduard Selami.

“Mos u mërzisni kur them se sot ju keni votuar të gjithë për Lulzim Bashën, edhe pse jam i sigurt që disa prej jush ia kanë dhënë votën e tyre Eduard Selamit. Sepse, sipas nesh, ky i fundit ka qenë në këtë farsë thjesht dhe vetëm për tw mos e lënë vetëm Lulzim Bashën, por për t’ia bërë më të lehtë atij rrëmbimin e mandatit të kryetarit të PD”.

Votimi i sotëm për ish- Nënkryetarin e Partisë Demokratike është një traumë  akoma më e rëndë sesa humbja në zgjedhjet e 25 qershorit.

Patozi thotë se vetëm një analizë serioze e humbjes si dhe gara e drejtë dhe e barabartë do ta shpëtojë Partinë Demokratike nga gremina ku po e çon Lulzim Basha.

Tv Klan