Në 240 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, ka uruar me anë të një mesazhi homologun e tij, Barack Obama.

Në mesazhin e tij kreu i shtetit shkruan:

I nderuar Zoti President

,

Me rastin e 240-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju dhe popullin mik amerikan.

Përfitoj nga rasti që, në këtë 4 Korrik, të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme e shumë domethënëse që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga hedhja e hapave të para në krijimin e shtetit modern e deri në ditët e sotme, për konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve demokratike. SHBA-ja mbetet për Shqipërinë dhe shqiptarët mbështetësi dhe partneri kryesor strategjik për kryerjen e reformave të thella në kuadër të agjendës euroatlantike. Të ndërgjegjshëm për vlerat e lirisë, shqiptarët ndjehen sot krenarë që janë rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara dhe koalicionit  global në luftën kundër ISIS, terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Duke ju siguruar për ndjenjat më të mira të miqësisë së popullit shqiptar për popullin mik amerikan, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

”/tvklan.al