Edmond_SpahoPak orë pas dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Artan Didi, Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, pasi e akuzon se ka qenë në dijeni të faktit se në zyrën e Interpol Tiranës kishte mbërritur një kërkesë e autoriteteve belge për arrestimin e deputetit Mark Frroku, por e ka mbajtur atë të fshehtë.

Edmond Spaho – Nënkryetarë i PD: “Gjithkush e di se për kërkesën e Interpol Brukselit, ka pasur dijeni Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri. Atyre madje u ka leverdisur kjo kërkesë dhe e kanë shfrytëzuar për të kapur dëshmitarin kyç Mark Frroku, për ta përdorur sipas interesit të tyre në procesin hetimor ndaj Ilir Metës, i akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit, nuk mund të bëhej pa urdhërin e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës. Ata janë përgjegjësit e vërtetë, autorët e vërtetë të këtij akti të rëndë në kundërshtim me ligjin.”

Më herët në një tjetër deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani tha se, autoritetet belge kishin dërguar dy kërkesa në janar për arrestimin e Frrokut

Arben Ristani – Sekretar i Përgjithshëm i PD: “Më 23 janar, Interpol i Brukselit, ka sjellë material shtesë duke ripërsëritur kërkesën për kërkimin dhe kapjen e Mark Frrokut. Sërish, zyrtarët e Edi Ramës nuk kanë bërë asnjë veprim.Vetëm më 18 mars, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori në favor të Ilir Metës, lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës.”

Sipas Opozitës, arrestimet e shefit të zyrës së Interpol Tiranës dhe një specialistje në këtë zyrë janë kryer për të mbyllur një skandal pas të cilit qendrojnë Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm.

Tv Klan