Me debate ka nisur seanca e sotme parlamentare. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka ndërprerë dy herë me nga  5 minuta punimet e parlamentit pas debateve të ashpra me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ruçi i tërhoqi vëmendjen kreut të demokratëve për “pushtim” të foltores, pasi nuk largohej edhe pse i kishin përfunduar minutat për diskutim. Në këtë moment, deputetët demokratë u ngritën në këmbë duke rrethuar foltoren e Parlamentit. Në kushte të tilla, kreu i Kuvendit u detyrua të ndërpresë seancën për 5 minuta dy herë radhazi. 

Debati nisi për komisionin e posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore. Grupi parlamentar i PD kërkonte që të bëheshin diskutime për komisionin e reformës zgjedhore, pasi kishin depozituar kërkesën në sekretarinë e kuvendit.

Ndërkohë, me miratimin e grupit të PS dhe të LSI, u votua që ky diskutim të bëhej seancën e radhës në mënyrë që të përgatiteshin të gjitha palët.

Pas votimit që diskutimi të shtyhej të enjten e ardhshme, Basha i kërkoi Gramoz Ruçit që të mblidhte Konferencën e Kryetarëve për këtë çështje dhe të mos i heqë opozitës të drejtën për diskutim.

Lulzim Basha:

“Ky biçim parlamenti po degradon nga dita në ditë. Sot kemi çështjen e zgjedhjeve dhe opozita ka depozituar çështjen për debat, ndërsa ju vini dhe për asnjë arsye të thjeshtë thoni se nuk do të ketë debatin. Nxjerr kartonët për ta mbyllur seancën. Mblidh grupin parlamentar tani dhe të diskutojmë sepse ky parlament është i të gjithë qytetarëve. Prandaj mblidh Konferencën e Kryetarëve, e cila dhe është njoftuar para katër ditëve. Se ju keni lepurin në bark dhe se nga njëra anë është çështja e Elbasanit dhe tjetra rruga e Elbasanit. Prandaj mblidh Konferencën e Kryetarëve tani ose do bllokoj parlamentin vendos për një afat të arsyeshëm debatin pasi nuk kemi kohë për të harxhuar është në rendin e ditës dhe s’mund ta heqësh sepse ke ardhur i pa përgatitur. Do t’i mbyllësh gojën e opozitës dhe në nuk ja u lejojmë prandaj mbyll seancën dhe mblidh Konferencën e Kryetarëve. Shqipëria është në terrorin e bandave. Sot dhe jo nesër shqiptarët duan debatin dhe opozita është këtu për debat”.

Gramoz Ruçi:

“Nuk ka asnjë atribut Konferenca e Kryetarëve kur seanca është e mbledhur për rendin e ditës, sipas procedurave janë tre kolegë njëri për ta diskutuar ndërsa dy të tjerët ishin për ta diskutuar herën tjetër. Kjo çështje konsiderohet e mbyllur dhe askush nuk i mbyll gojën opozitës, por bëra shqyrtim të kërkesës. Kjo çështje është kompetencë e seancës dhe kjo çështje konsiderohet e mbyllur”.

Gajtë pushimit të seancës, ish-Kryeministri Sali Berisha parashikoi se mazhoranca nuk e zë Dhjetorin, pasi ka frikë nga diskutimi.

Sali Berisha:

“Kjo shumicë po tregon se Dhjetori, siç e ka nisur nga frika e tmerri nuk e zë. Çfarë po kërkon opozita aty? Po kërkon që ky komision në dritën dhe të raportit të OSBE/ODIHR të bëjë një diskutim. Këta nuk duan diskutim, e mbyllin. Këta kanë frikë nga fjala. Gramoz Ruçi po fut në Parlament metodat e vjetra policore hoxhiste. E paralajmëroj që të heqë dorë se janë të patolerueshme”.

Debatet e mëparshme mes kryetarëve të grupeve parlamentare PD-PS-LSI:

Kreu i grupit parlamentar të PD Edmond Spaho insistoi që në seancën e sotme të bëhen diskutime për komisionin e reformës zgjedhore, pasi deputetët e PD kanë ardhur të përgatitur për këtë temë.

Të gjendur në situatë të tillë, kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili deklaroi se nuk janë të përgatitur për këtë debat dhe kërkoi kohë që bëhen gati.

Kështu, demokrati Spaho propozoi që seanca të ndërpritet dhe të rifillojë në orën 16:00 deri sa të përgatiten deputetët e grupeve të tjera parlamentare.

Edmond Spaho: “

Opozita nuk ka objektiv tjetër këto 4 vite vetëm reformën zgjedhore, propozoj që seanca të rifillojë në orën 16:00″.

Ndërkohë, ministri Pandeli Majko u shpreh kundër debateve në Parlament për komisionin e reformës zgjedhore dhe tha se të tilla diskutime bëhen pikërisht në komisionin e posaçëm.

Pandeli Majko:

“Nuk besoj se ka pasur ndonjë parlament që të ketë ngritur një komision për zgjedjhet e ardhshme. Mendoj se ky debat nuk duhet të zhvillohet në seancë por në komision. Do ngrihemi këtu të diskutojmë se si e kemi bërë konsensusin për komision? Debati është në komisionin për të cilin do ngrihet”.

Kryeparlamentari Ruçi kërkoi mendimin e Taulant Ballës dhe Petrit Vasilit si kryetarë të grupeve parlamentare, të cilët propozuan seancën e radhës të enjten e ardhshme.

Petrit Vasili:

Seancën tjetër”.

Taulant Balla:

“Seancën tjetër”.

Gramoz Ruçi:

“Je dakord për seancën tjetër”?

Edmond Spaho:

“Sugjeroj të mbledhësh Konferencën e Kryetarëve dhe unë i ngelem propozimit për në orën 16:00”.

Gramoz Ruçi:

“Shtyhet për seancën tjetër”. /tvklan.al