EDI PALOKAOpozita ka paralajmëruar destabilitet pas vendimit të shumicës për të ndryshuar projektvendimin për funksionimin e komisionit të posaçëm për reformën administrative-territoriale që i hap rrugë maxhorancës ta vazhdojë e vetme këtë proces. Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Edi Paloka tha se mazhoranca ka vendosur ta bëjë në mënyrë të njëanshme këtë reformë, që sipas tij ka për qëllim, krijimin e një harte elektorale.

Këto pretendime të opozitës u hodhën poshtë nga Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, i cili tha se ndryshimet e propozuara nga mazhoranca nuk përjashtojnë opozitën dhe se ndarja e re territoriale nuk ka prapavijë politike për qëllime elektorale.

Propozimi i shumicës i cili nuk gjeti dakordësinë e palëve në Konferencën e Kryetarëve pritet të kalojë për votim në seancën plenare të së enjtes. Në draftin e propozuar nga kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi, të depozituar  pak ditë më parë në kuvend, propozohet shtimi i një anëtari nga rradhët e shumicës, duke e çuar përbërjen e këtij komisoni në 17 pjesëtarë dhe duke i krijuar të majtës mundësinë të nisë punën e vetme, pa u penguar nga mungesa e kuorumit.

Ndërsa ndryshimi i dytë parashikon shtyrjen e afatit nga 24 prilli deri më 26 qershor, me qëllim finalizimin e reformës brenda kësaj legjislature.

tvKlan