Partia Demokratike dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e plotë të kandidatëve për deputetë. KQZ u detyrua ta shtyje dy herë afatin e shqyrtimit të tyre. Listat kanë pësuar ndryshime, pas tërheqjes së disa kandidatëve nga gara në shenjë protestë, si Ramiz Çoba apo Helidon Bushati në Shkodër.

Në vend të katërt në këtë zone zgjedhore renditet Bardh Spahia, i cili më herët ishte i gjashti në listë dhe në vend të tij është futur ish – deputeti, Gjok Uldedaj.

Demokristiani Nard Ndoka mbetet sërish i pesti. Në Lezhë, Preç Zogaj ngjitet në vendin e katërt dhe Martin Bibaj zbret në vendin e pestë.

Nga lista është larguar edhe aleati i PD-së në Dibër, Sulejman Gjana i PLL-së, si dhe Sazan Guri nga lista e Beratit.

Por me miratimin e listave, KQZ-ja e gjobiti Partinë Demokratike me një shumë prej 50 milion lekësh të vjetra për shkak të mos respektimit të kuotës gjinore në listat e saj në 5 qarqe.

Dorëzimi i listave nga ana e PD-së i hapi rrugë edhe hedhjes së shortit për renditjen e partive në fletën e votimit, në të cilën kryeson LSI-ja. Partia Socialiste renditet e dyta, ndërsa ajo demokratike e gjashta.

Tv Klan