Grida dumaPartia Demokratike thotë se qytetarët kanë shumë arsye për të protestuar kundër kësaj qeverie që në 1 vit po rrit ndjeshëm kostot e jetesës për shqiptarët ndonëse kishte premtuar uljen e tyre.

Duke iu referuar raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë Grida Duma tha se heqja e fashës prej 300 kilovat orësh do të prekë 77 për qind të shqiptarëve.

Grida Duma (Kordinatorja e marrëdhënieve me publikun): ”Me heqjen e fashës mbrojtëse, fatura mujore për 2 milionë e 100 mijë shqiptarë do të jetë deri në 70 përqind më e shtrenjtë. Eshtë Edi Rama që premtoi uljen e çmimit të energjisë elektrike me 20 përqind, pasi u zotua se do të hiqte TVSH-në. Askush nuk mund të luajë me jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ka ardhur koha që të gjithë sëbashku t’i themi ndal të keqes që ka mbërthyer vendin”.

Ndërsa deputeti Gent Strazimiri duke risjellë në kujtesë premtimin e socialistëve për legalizim falas tha se prishjet selektive që po bën Edi Rama, po lënë pas një padrejtësi revoltuese për qytetarët.

Gent Strazimiri – Deputet i PD: “Asnjë gërvishtje nuk pësojnë ndërtesat e lokalet e Koço Kokëdhimës, të Vangjush Dakos, kryetarit të PS në njësinë 10, kryetarëve socialist të minibashkive, zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, apo të vetë funksionarëve të lartë të INUK. Justifikimi i INUK se ndërtimet e miqve të qeverisë kanë dokumentacion është qesharak, pasi kjo bandë zuzarësh ka bërë hi kudo edhe ndërtesa të legalizuara, edhe prona të ligjshme. Ka ardhur koha të reagojmë SOT, ndryshe rrezikojmë të shndërrohemi në një shoqëri mazokiste, që e shijon dhe meriton ndëshkimin dhe arrogancën e një sadisti…!”.

Strazimiri foli edhe për të tjera premtime të pambajtura të qeverisë së majtë, duke nisur me rritjen e taksave, e deri tek shtrenjtimi i karburanteve.