Partia Demokratike ka bërë sërish përgjegjës Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për vdekjen e adoleshentit Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës.

Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD Grida Duma, tha se investigimi mediatik i transmetuar mbrëmë në “Opinion” që më parë ishte censuruar, nxori qartë aferën e madhe korruptive e kriminale të Sharrës dhe përgjegjësinë direkte të Veliajt në vdekjen e Arditit.

“Mbrëmë Opinion bëri të mundur transmetimin e emisionit “Publicus”, një investigim mediatik që Erjon Veliaj e kishte bllokuar.

Dhe mbrëmë u kuptua fare qartë pse Erjon Veliaj bëri çdo përpjekje për ndalimin e këtij emisioni.

Investigimi mediatik nxori qartë aferën e madhe korruptive e kriminale të Sharrës dhe përgjegjësinë direkte të Erjon Veliajt në vdekjen e Arditit.

Investigimi zbuloi firmën e Erjon Veliajt në kontratën me kompaninë 3R, e kryetarit socialist të Peqinit, që edhe sot e kësaj dite merret në mbrojtje nga Edi Rama e nuk i dorëzohet drejtësisë.

Mbrëmë shqiptarët panë se në kantierin e Veliajt nuk zbatohej asnjë ligj, nuk respektohej asnjë kriter sigurie, nuk paguheshin siguracionet.

Panë kushtet mizerabël të punës ku kishte humbur jetën para Arditit edhe një grua, një lajm i mbajtur i fshehur deri tani.

Të rinj, të mitur, burra e gra shfrytëzoheshin në këtë landfill, ndërkohë që Erjon Veliaj kishte premtuar punë të sigurtë me thirrjen publike që u bëri qytetarëve.

Publikimi i emisionit të censuruar nga Erjon Veliaj është një lajm i mirë që tregon se ka ende garanci në vend për lirinë e shprehjes, megjithë shtypjen kriminale që pushteti u bën mediave herë me kërcënime e herë me joshje.

Transmetimi mbrëmë është një thirrje e fortë për Prokurorinë e Tiranës, që të mos dremisë mbi këtë dosje, por të cojë hetimin përpara e të bëjë drejtësi për jetët e humbura në këtë aferë korrupsioni e krimit të Erjon Veliajt.”/tvklan.al