Partia Demokratike pritet t’i dërgojë kryeministrit Rama propozimet e saj për emrin e  zv/kryeministrit, 6 ministrave teknikë dhe krerët e drejtorive, të cilët janë pjesë e marrëveshjes politike të firmosur nga të dyja palët.

Nëse kryeministri Rama do të bjerë dakord me këto propozime atëherë lista me emrin e zv/kryeministrit, ministrave teknikë dhe krerëve të drejtorive do t’i dërgohet për dekretim Presidentit të Republikës. 

Pas dekretimit nga kreu i shtetit emrat e propozuar do të shkojnë për votim në një seancë të jashtëzakonshme të kuvendit, në të cilën do të votohen edhe Komisionet e Vetting-ut sipas dakordësisë mes dy palëve.

Dita kur do të zhvillohet kjo seancë nuk është vendosur ende por me shumë gjasë kjo seancë do të zhvillohet të hënën e javës që vjen./Tv Klan