PalokaEdi Paloka: Deklarata e mbrëmshme e ministres Kodheli është pak po të thuash se ishte një deklaratë e turpshme sepse të deklarosh pa pikën e përgjegjësisë se çështja e hetimit të drogës qenka mbyllur, dhe për më tepër të keqpërdorësh aleatët tanë të mëdhenj lidhur me këtë çështje e përsëris, është më tepër se sa e turpshme. Asnjë çështje nuk është mbyllur ende.

Është ky reagimi i kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, në lidhje me deklaratën e bërë në emisionin Top Story nga ministrja e Mbrojtjes se çështja e përdorimit të infrastrukturës ushtarake për trafik droge u mbyll nga amerikanët. Për demokratët, mazhoranca po kërkon që ta mbyllë vetë këtë çështje për interesa të disa përfaqësuesve të qeverisë e mazhorancës, duke përdorur për këtë qëllim edhe komisionin hetimor.

Edi Paloka: Dua t’ju kujtoj se komisioni hetimor sipas rregullores duhej të kishte filluar punë tre ditë pas miratimit të tij në Kuvend. Ende sot e kësaj dite nuk është thirrur me justifikimet banale se gjoja ende nuk është përcaktuar kryetari i komisionit dhe justifikime të tjera si këto. Pra, duket qartazi se kjo mazhorancë kërkon ta mbyllë këtë çështje dhe jo ta hetojë. O do të bëhet transparencë për shqiptarët, të bëhet transparencë për trafikun e drogës, kush janë përgjegjësit, a është e lidhur kjo qeveri me këtë trafik droge dhe mesa duket edhe reagimet e ministrave dhe përfaqësuesve të kësaj mazhorance tregojnë se frika e tyre ka pikërisht lidhje me faktin që ata janë të implikuar.

Tv Klan