Silvi BardhiNë vazhdën e denoncimeve të emërimit të personave me precedentë kriminalë në administratën publike, Partia Demokratike denoncoi sot një tjetër rast.

Bëhet fjalë për emërimin si kontrollor në Rinas të një personi të arrestuar në këtë aeroport 5 vjet më parë, me një sasi të konsiderueshme parash të padeklaruara.

Silvi Bardhi, koordinatore për mediat, PD: “Në vitin 2009, Erjon Bojaxhi u ndalua nga Policia në Rinas pasi po tentonte të nxirrte nga Shqipëria 200 mijë euro, 101 mijë korona norvegjeze dhe 20 mijë dollarë. Një sasi e madhe parash me burim kriminal, e cila nuk mund të transferohej në llogari të sigurta jashtë përmes bankave. Bojaxhi ishte një korrier që e bënte shpesh këtë punë”.

Çfarë mendoni se ka ndodhur me të arrestuarin nga policia në vitin 2009 në Rinas me këtë shumë të madhe parash?

Silvi Bardhi, koordinatore për mediat, PD: “Me Edi Ramën, ai është bërë kontrollor në Rinas. Përtej imagjinatës më djallëzore, rilindja ka caktuar si monitorues në Rinas, një person që dikur Rinasin e shfrytëzonte për të kaluar paratë e krimit, të korrupsionit, apo të burimeve të tjera të paligjshme”.

Partia demokratike akuzon kryeministrin Rama se në postet kyçe të administratës ka vendosur persona me precedentë të rëndë kriminalë. Sipas saj, ky është një nga rastet e shumta që rrëzon propagandën e Ramës, për meritën apo shanset e barabarta në emërimet në administratë.

Tv Klan