Partia Demokratike i është rikthyer akuzave në adresë të kryeministrit Edit Rama.  Sipas opozitës kreu i qeverisë është vënë në shërbim të krimit dhe trafikantëve të drogës.

Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj tha se dëshmi e mbështetjes së qeverisë ndaj  trafikantëve të drogës është Klement Balili, që sipas demokratëve edhe pse ndaj tij ka një urdhër arresti ndërkombëtar kryeministri refuzon ta zbatojë ende.

Alibeaj tha se kryeministri ka ofruar mbrojtje edhe për administratorin e kompanisë 3R, Edurim Teqja, që po hetohet për vrasjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, e që sipas opozitës merr pjesë në inaugurimet qeveritare./ TV KLAN