Ristani-konference-1-552x292Partia Demokratike ka akuzuar Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri për manipulim të opinionit publik lidhur me të dhënat për kriminalitetin në vend. Nga selia blu deputeti Arben Ristani foli për një plan të mirëorganizuar nga kjo ministri që sipas tij nis nga mosregjistrimi i ngjarjeve në terren deri tek presioni që i bëhet gazetarëve nga krerët e policisë në rrethe për të mos raportuar rreth ngjarjeve kriminale  të ndodhura ditët e fundit.

“Ministri i Brendshëm po synon të manipulojë të dhënat e kriminalitetit, sipas një mekanizmi të mirëorganizuar, që nis me mosregjistrimin e ngjarjeve në terren, dhe më tej akoma me përpjekjen për të ndikuar tek mediat në mosraportimin e lajmeve të kronikës së zezë.

Në dhjetor, sipas burimeve zyrtare, kanë ndodhur dy ngjarje të rënda në Tiranë, një vendosje tritoli në një biznes në zonën e Pallatit me Shigjeta dhe një grabitje me armë në zonën e Yzberishtit, të dyja këto ngjarje që nuk janë pasqyruar në buletinet e policisë, ndërkohë  informacioni  nuk i është dhënë as medias.

Gazetarët e kronikës së zezë të gazetave dhe televizioneve po kalojnë periudhën më të vështirë të punës së tyre, pasi deviza e Ministrit dhe e qeverisë është të mos konfirmohet informacioni, të mos flitet me mediat, në mënyrë që lajmet të mos botohen.

Ka edhe me keq,  gazetarëve sidomos në rrethe u bëhet presion nga shefat e komisariateve që të mos publikojnë ngjarje të caktuara.

Sipas Partisë Demokratike fshehja e krimeve ka pasoja të rënda publike. Teksa ju referua ngjarjeve të dy ditëve të fundit deputeti Ristani tha se është rritur ndjeshëm pasiguria në vend.

Kjo përpjekje nuk e rrit aspak sigurinë publike dhe nuk e ul kriminalitetin.

Në dy ditët e fundit kemi 5 të vrarë. Përplasje me armë e grabitje kudo, më të fundit në Vlorë, në Korcë, në Durrës ku agresorët kanë pasur edhe makinë me alarm policie. Grabitjet dhe maskat janë shtuar, sepse profesionistët e policisë janë zëvendësuar me militant. Pasiguria e qytetarëve është rritur, sepse Ministri i Brendshëm  bën shfaqje mediatike dhe në vend të përgjegjësisë, ushtron trukimin e të dhënave.

Për demokratët autor i manipulimit dhe fshehjes së të dhënave ndaj kriminalitetit është vetë ministri i brendshëm Sajmir Tahiri.