Demokratët thonë se përmes aksionit për prishjen e objekteve në Himarë qeveria po tenton të heqë vëmendjen nga çështja “Tahiri”.

Nga Himara, ku një ditë më parë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, prishi 8 objekte pa leje, në kuadër të fazës së dytë të rikualifikimit urban të qendrës së qytetit, Flamur Noka akuzoi qeverinë se ka dërguar sekserë për të negociuar me banorët.

Flamur Noka Deputet i PD-së: “Në Himarë para se të zbarkonin forcat policie dhe inspektorati i ndërtimit kanë zbarkuar me dhjetëra sekserë që i bëjnë pazare të të gjithë atyre të cilët u është parashikuar të prishet ndërtesa. Sekserët qeveritarë kanë zbarkuar para se të vijë qeveria. Himara përdoret për të fshehur skandalet. Zbarkojnë në Himarë për të tërhequr vëmendjen nga skandali i Tahirit.”

Aksioni i IKMT-së është ndërprerë pas vendimit të Gjykatës së Vlorës për pezullimin e prishjes së 12 objekteve të tjera, që janë pjesë e planit për projektin e rikualifikimit urban të Himarës. Ky vendim është apeluar nga INUV i Himarës. /Tv Klan