Java që vjen është vendimtare për fatin e vetting-ut, por kreu i opozitës Lulzim Basha paralajmëroi sërish nga çadra e protestës kryeministrin Edi Rama se vetëm pas largimit të qeverisë vendi do t’i rikthehet normalitetit.

Lulzim Basha, kreu i PD:

Jemi këtu për t’i thënë Ramës se e vetmja mënyrë për të kthyer normalitetin në vend është largimi yt dhe një qeveri teknike, rrugë tjetër nuk ka dhe nuk ka për të pasur.

Në një bashkëbisedim me ish-të përndjekur politikë ku ishte i pranishëm edhe ish-kryeministri Sali Berisha, Basha tha se mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme kërcënohen nga krimi e droga që kanë mbrojtjen e kryeministrit Rama.

Në shenjë simbolike protestuesit e opozitës vendosën në shesh dy thasë me miell, ndërsa mbi godinën e kryeministrisë ngritën një dron me parullën: “Zgjedhje të lira, pa drogë e të droguar”.

Lulzim Basha, kreu i PD:

Sot liria kërcënohet nga një kryeministër që shkel kushtetutën për të mbrojtur kriminelët që ka sjellë në pushtet. Rama refuzon të zbatojë ligjin e dekriminalizimit për të mbrojtur krimin dhe drogën, me të cilin ndau pushtetin. S’do pranojmë që zgjedhjet  e lira e të ndershme të bien viktimë e një qeverie  që ka vendos t’i vjedhë përmes parave të korrupsionit dhe drogës.

Duke folur në emër të Republikës së Re që do të ndërtojë me qytetarët, Basha i premtoi ish-të përndjekurve dëmshpërblim moral e material./ TV KLAN