halimiPartia Demokratike e quan antikushtetues dhe një tentativë për të kapur sistemin e drejtësisë ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të miratuar në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës së majtë, por edhe dy ligje të tjera të paketës së qeverisë për drejtësinë, atë për “Për Shkollën e Magjistraturës” dhe ligji “Për organizimin e Gjykatave Administrative”. Për këtë arsye, demokratët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese.

Eduard Halimi – Deputet i PD: Të tre këto ligj, janë ligje të cilat kanë një përmbajtje të thellë antikushtetuese, prekin parimet e ndarjes së pushteteve, prekin parimin e funskionimit të shtetit ligjor dhe kanë për synim kapjen politike të sistemit të drejtësisë.

Ligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë synon hapur kapjen politike të sistemit të drejtësisë së pari duke ndryshuar anëtarët e KLD pa shkak dhe pa përfunduar mandatin e tyre kushtetues.

Së dyti duke i kërkuar Presidentit që të zgjedhë nënkryetaren e KLD nga lista e Kryeministrit, merr kompetencën presidenciale dhe duke e uzurpuar këtë kompetencë nga Kryeministri i vendit, dhe së treti me një akt të paprecedentë në një shtet ligjor dhe së drejtës urdhërohet pezullimi automatik i gjyqtarëve të vendit sapo ndaj tyre të regjistrohet një kallëzim penal.

Ligji për disa ndryshime dhe ligji për funksionimin e gjykatave administrative është një ligj tërësisht antikushtetues pasi vendosen kompetenca kryeministrore për të emëruar ndihmësit ligjor të gjyqtarëve të Gjykatës Administrative. Në këtë Gjykatë Kryeministri është tërësisht në konflikt interesi sepse Gjykata Administrative shqyrton akte që nxjerr Kryeministri dhe me ligjin që ai ka hartuar, urdhëron kryetarët e gjykatave që të zgjedhin nga lista kryeministrore emrat e ndihmësgjyqtarëve, një akt ky i paprecedentë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit e cila parashikon se Gjykatat janë tërësisht të pavarura nga pushteti ekzekutiv.

Ligji për Shkollën e Magjistraturës nuk synon gjë tjetër veçse ndryshimin e drejtimit të kësaj shkolle, marrjen e kompetencës presidenciale nga Kryeministri për emërimin e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës dhe cënimin e kompetencave të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pra një organi të pavarur kushtetues për të emëruar drejtuesin e kësaj shkolle”.

Referuar tre ligjeve për të cilët opozita ka kërkuar pezullimin nga Gjykata Kushtetuese, Halimi tha se ato janë hartuar pa marrë parasysh sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë.

Eduard Halimi – Deputet i PD: “E gjithë kjo paketë, është një paketë drejtësie, është një paketë ligjesh, e cila është hartuar në mungesë të plotë transparence, në mungesë të plotë të konsultimit gjithpërfshirës dhe konsultimit me partnerë ndërkombëtarë ashtu siç kanë kërkuar gjithë organizmat ndërkombëtarë dhe në kundërshtim të hapur e në injorim të plotë të thirrjeve ndërkombëtare”.

Tre ligjet e propozuara për pezullim nga Partia Demokratike u kthyen për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti Nishani, por mazhoranca i rrëzoi me shumicë votash dekretetet e kreut të shtetit.

Tv Klan