Partia Demokratike thotë se pas drogës së kapur një javë më parë në Vlorë qëndron një rrjet i strukturuar kriminal që komandohet nga krerët më të lartë të policisë së këtij qyteti. Sipas opozitës, sasia e sekuestruar prej 21 ton hashash në Vlorë, fakton lidhjet e Ministrit Tahiri më bandat e narkotrafikut.

“Sipas të dhënave të sigurta, ky rrjet i organizuar komadohej pikërisht nga drejtori i Policisë së Vlorës, Jaert Cela, përmes shefit të postës së Selenicës, Enkeleid Greku, kunatit të këtij të fundit që administron skafet në Vlorë, Dhimitraq Janku, dhe shefit të krimit të organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila. Rama e Tahiri jo vetëm i bënë rezistencë prokurorisë për të mbrojtur deri në fund sasinë e madhe të drogës, por ia dolën të shpëtojnë kokat e këtij trafiku, duke nxjerrë në kërkim vetëm një agjent.”

Demokratët e akuzojnë kreun e qeverisë dhe Ministrin e Brendshëm se fshehën vrasjen me një plumb pas koke të një 36 – vjeçari në një magazinë hashashi në Shëngjergj.

“Gjurmët e Ramës dhe Tahirit dhe urdhërat e tyre janë kudo ku mbrohet droga e krimi. U fsheh vrasja e 3 ditëve më parë në Shëngjergj. Një ekzekutim mafioz për hesapet e drogës, i 8-ti në muajt e fundit. Po kur ekzekutimet ndodhin për parcelat me Kanabis, ato nuk raportohen ose paraqiten si vetëvrasje.”

Për demokratët, Kryeministri Rama dhe Ministri Tahiri janë armiqtë e policisë, pasi sipas tyre, kanë krijuar paligjshmërinë më të madhe në vend, duke pesëfishuar parcelat me kanabis, që opozita thotë se menaxhohet nga drejtues të lartë të policisë.

Tv Klan