Partia Demokratike e ka cilësuar aferën në të madhe korruptive të qeverisë Rama, projektin për ndërtimin e një porti tregtar në bregdetin e Karpenit. Deputetja Jorida Tabaku tha se ky koncension është bërë në mungesë transparence, duke i dhënë disa kompanive fantazmë, 1700 hektarë nga pasuria kombëtare.

“1700 hektarë tokë në zemër të vendit, në një prej zonave më të kushtueshme, i fluturoi Edi Rama me një të rëndë të lapsit sa në Londër, sa në Singapor, nëpër kompani fantazëm, dhe sot që flasim askush nuk e di se cilin bëri shefi i rilindjes pronar të kësaj pasurie të shqiptarëve. Fillimisht, Edi Rama ia dha këto 1700 hektarë kompanisë “Star Bridge Port Development Ltd”, me qendër në Britani, e cila rezultoi me një kapital prej 100 paundësh. Më e rënda është se kjo kompani, që Edi Rama e bëri pronare të 1700 hektarëve, u shit papritur në Singapor, në një parajsë fiskale atje, vende që vizitohen shpesh nga vëllai i kryeministrit. “

Menjëherë ka ardhë reagimi i Ministrisë së Ekonomisë, e cila i quan deklaratat tërësisht dashakeqe dhe që dëmtojnë imazhin e Shqipërisë përballë investitorëve të huaj. Dikasteri i Ekonomisë thotë se ende nuk është lidhur asnjë kontratë me propozuesit e projektit për portin e Karpenit, por qeveria shqiptare thjesht i ka kërkuar parlamentit lejen për të hyrë në bisedime me propozuesit e investimit strategjik dhe për të negociuar kontratën. Investimi, sipas Ministrisë së Ekonomisë edhe më i madhi këto 25 vitet e fundit në Shqipëri, që do t’i hapi rrugën 70.000 vendeve të reja pune.

Tv Klan