BushatiPartia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të nisë menjëherë hetimet për shkeljet e ligjit dhe abuzimet me fondet publike nga Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Në një dalje për mediat deputeti Helidon Bushati tha se  Ministrja Kodheli ka shkelur rëndë ligjin duke vënë mjetet e ushtrisë në shërbim të operacioneve të policisë në Dukagjin e Lazarat pa asnjë bazë ligjore.

Helidon Bushati, deputet i PD:Dëmtimi i helikopterit me një vlerë prej 12 milionë euro, të blerë nga kontributi i taksapaguesve shqiptarë, përbën një dëm të madh financiar. Dhënia e mjeteve të ushtrisë pa një marrëveshje, pa një vendim qeverie, pra pa një bazë ligjore, është një shkelje e rëndë. Duke i konsideruar asetetet publike si pronë private, Minsirja e Mbrojtjes ka shkelur ligjin, dhe ajo sot është nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Media ka denoncuar faktet prej kohësh, por Ministrja e Mbrojtjes hesht”.

Nisur nga këto fakte e prova Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të tregojë vëmendjen e duhur ndaj shkeljeve të ligjit nga Ministria e Mbrojtjes.

Helidon Bushati, deputet i PD: Eshtë koha që Prokuroria e Përgjithshme të tregojë vëmendjen e duhur ndaj këtij abuzimi prej 12 milionë euro. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë të mos  mbyll sytë para shkeljeve e shpërdorimit të qeverisë, të nisë menjëherë hetimin, të garantojë zbatimin e ligjit dhe të vërë shkelësit para përgjegjësisë”. 

Ministria e Mbrojtjes ende vijon të mos japë shpjegime se përse mjetet e ushtrisë shqiptare u përdorën në operacione policore pa një vendim siç e kërkon ligji.

Ekspertë të ushtrisë thonë se rasti i përdorimit të helikopterve Kugar, në operacionet antikanabis në Lazarat dhe Dukagjin, nxorri në dritë një skandal, që po thellohet edhe më tej.

Perveçse mjetet e ushtrisë janë përdorur jashtë funksionit të tyre, në shkelje të ligjit, ngritja e helikopterëve në fluturim me urdhër të Ministres, edhe për shërbime taksi, siç ishte rasti i lëvizjes së deputetëve të majtë të Komisionit të sigurisë në Lazarat, ka shkaktuar edhe dëm financiar.

Rastet në Dukagjin e Lazarat nuk janë të vetmit ku helikopterët e ushtrisë janë përdorur pa një vendim të posaçëm.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka shkelur ligjin për forcat e armatosura duke lejuar përdorimin e efektivëve të forcës ajrore dhe të helikopterëve ushtarakë, jashtë misionit të kësaj force, me dhjetëra herë.

Konfirmimi vjen nga vetë drejtuesit e kësaj force, të cilët jozyrtarisht shprehen për TV Klan se në të gjitha rastet urdhërat janë dhënë nga zyrtarë të lartë të Shtabit të Përgjithshëm me kërkesë direkte të Ministres Kodheli.

Pilotët e bazës së Farkës janë shprehur se përveç rrezikut me të cilin janë përballur në këto misione komplet jashtë misionit për të cilin janë trajnuar dhe duhet të shërbejnë, me këto udhëtime të urdhëruara direkt nga ministrja Kodheli po i shkaktohet një dëm i madh financiar shtetit.

Kjo pasi çdo e ngritur në ajër e helikopterëve ushtarakë që ka në dispozicion sot forca ajrore kushton plot 5 mijë dollarë.

Tv Klan