Kreu i bandës italo – shqiptare të narkotrafikut që u godit të hënën në Siçili, ka përmendur në bisedat telefonike dhe ambientale edhe emrin e kushëririt të tij, ish – ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në dosjen hetimore prej 416 faqesh, të shpërndarë nga Partia Demokratike në Shqipëri, thuhet se Moisi Habilaj është përgjuar teksa bisedon me anëtarët e tjerë të bandës, shqiptarë dhe italianë, të cilëve u flet për ish -ministrin dhe përmend shuma parash që thotë se do t’ia çojë atij.

Në një bisedë të datës 16 Dhjetor 2013 mes Moisi Habilajt dhe anëtarit tjetër të bandës, Sabaudin Çelajt, sipas prokurorisë italiane që i ka përgjuar, ata flasin për ish – ministrin Tahiri dhe për përfitimet që ai kishte nga aktivitete të paligjshme.

“Përgjimet në makinën Fiat Bravo me targë DG 826 NA, në përdorim të HABILAJ Moisi, regjistrim ambienti 561, ora 12:30 16.12.2013.

Makina në lëvizje me Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj, shkurt Sabi, ora 12:31.

Të dy flasin për një emër të pushtetshëm që quhet “Sajmir Tahiri” (deputet shqiptar), politikan.

Moisiu thotë se “ka më shumë se ne ai”. Sabi i përgjigjet se Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, postit), por nuk beson se ka më shumë para se ata. Moisiu llogarit se Saimiri në një muaj ka bërë të paktën 5 milionë euro. Sabi i thotë se ato para ai i shpenzon në fushatë elektorale. Moisi thotë se atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë euro për një fushatë elektorale.

Sabi i thotë se e rëndësishme është që nuk bën pyetje e nuk përmend emra dhe e rëndësishme është që të mos dalë emri që i kanë dhënë para atij. Moisiu i përgjigjet jo, që nuk beson se do të ndodhë. Sabi i përsërit se ka frikë se nipi të diskutojë me të tjerë se për të se i ka dhënë para atij (duke nënkuptuar Saimirin).

Më 2 Mars të vitit 2014, Habilaj dhe Çelaj përmendin Audin me targë AA 003 GB, që ishte ende në pronësi të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahirit, me të cilin ata kishin udhëtuar në Siçili.

Një ditë më vone ata flasin sërish për një shumë prej 30 mijë eurosh, që do t’i jepnin Saimirit për një ngarkesë droge.

“Mendo, veç borxheve që kemi, veç atyre që kemi marrë, kemi 75 mijë që janë automatikisht të caktuara. 30 mijë “xhaxhait”, 30 mijë duhet t’ja çoj Saimirit, bëjnë 60, 15 anija që na duhet patjetër, bëjnë 75 mijë, plus 100 që janë 72 të atyre në Fier, 20 të Arsenit, 170 mijë lekë heqim dhe këta të shtetit që kemi”.

Habilaj është përgjuar teksa implikon edhe policinë në trafikun e drogës, në një bisedë me një nga anëtarët italianë të grupit të trafikut.

Sipas saj, 39 – vjeçari Moisi Habilaj shprehet në një bisedë telefonike me një drejtues të një klani mafioz në Sicili, se në Shqipëri në trafikun e drogës janë të përfshirë edhe shefa policie. 

“Nëse vjen në Shqipëri do ta vësh re se policia shqiptare është e korruptuar dhe që në shumë raste arrin direkt te shefat e policisë që ndihmojnë në ngarkimin e thasëve”.

Në Nëntor të vitit 2013 Guardia di Financa ka mbajtur nën përgjim një tjetër bisedë, ku pas sekuestrimit të 1650 kilogramëve kanabis në brigjet afër Augustas, Moisi Habilaj flet i revoltuar për policinë italiane.

“Po të kisha pasur një kallashnikov, do t’i kisha shfarosur të gjithë. Bam, bam, bam”.

Në dosjen e Prokurorisë Italiane flitet për sasi të mëdha kanabisi dhe armë që i janë kapur bandës që prej kohës kur ajo ishte vënë nën përgjim. Grupi, 7 anetarë të të cilit janë arrestuar dhe 4 të tjerë janë në kërkim, thuhet se ka trafikuar 3.5 ton marijuanë, me një vlerë prej 20 milionë eurosh.

Tv Klan

[embeddoc url=”https://demokratet.al/wp-content/uploads/2017/10/ordinanza-tahiri-habilaj.pdf”]