Pas incidentit të ndodhur ditën e sotme në qytetin e Shkodrës, ku pati një përplasje fizike mes policisë dhe tregtarëve të duhanit, ka reaguar Partia Demokratike.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetarja e kësaj force politike për Shkodrën, Greta Bardeli tha se sjellja e policisë ndaj qyetarëve të cilët po përpiqen të mbajnë me bukë fëmijët është e papranueshme dhe e dënueshme.

PD i bëri thirrje gjithashtu qytetarëve të denoncojnë dhe të bëjnë publik çdo rast të tillë, ndërsa qeverisë “të mos guxojë të provokojë qytetarët e Shkodrës.”

Të dashur qytetarë të Shkodrës, mbarë opinioni publik është njohur me një nga shfaqjet më brutale të individëve të veshur me pushtetin e qeverisë ndaj disa qytetarëve që merren me tregti aq sa për të mbajtur me bukë fëmijët e tyre, e për të mbijetuar në këtë kohë dramatike për ekonominë dhe qytetarët e Shkodrës. Sjellja e të pangopurve, e falangave të dhunës së qeverisë që provokojnë qytetarët në hallin e tyre, është e papranueshme dhe e dënueshme për ne të gjithë si qytetarë.

Partia Demokratike i bën thirrje qytetarëve të denoncojnë dhe të bëjnë publik çdo rast të tillë dhe të gjithë si shoqëri të dënojmë me forcë akte të tilla. Qetësia, respekti, dinjiteti qytetar janë të shenjta dhe inpektorët e qeverisë mos të guxojnë të ngrenë dorën dhe armët ndaj grave, burrave.

Mos të guxojnë të provokojnë qytetarët e Shkodrës.

Të mbështetemi në vlerat tona qytetare dhe të përbuzim së bashku dhunën.”/tvklan.al