Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se manipuluan të vërtetën mbi vdekjen e 36-vjeçarit, Besnik Pudja, në Shëngjergj.

Sipas opozitës ngjarja e shënuar në një magazinë hashashi në afërsi të Tiranës nuk ishte vetëvrasje, por ekzekutim mafioz i bërë për shkak të drogës.

Ina Zhupa, zëdhënëse e PD-së:

Edi Rama dhe Saimir Tahiri po e thellojnë edhe më shumë inkriminimin në kanabizimin e vendit, duke mohuar edhe pasojat më ekstreme që vijnë nga droga: vrasjet dhe ekzekutimet mafioze. Jo vetëm i mohojnë, por i fshehin, i paraqesin si vetëvrasje, ose për motive të tjera. Kështu bënë me vrasjen një javë më parë të 36-vjeçarit Besnik Pudja në Shëngjergj. Në mënyrë kriminale, me urdhrin e Ramës e Tahirit për të mohuar drogën, ekzekutimi i Pudjës u paraqit si vetëvrasje.

Policia, njoftoi sot se për ngjarjen në Shëngjergj janë ndaluar Alges Liçi, 19 vjeç dhe Dritan Buzo, 30 vjeç, i dënuar më parë, dhe është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet H. D., 47 vjeç.

Ne njoftimin e policisë thuhet se kane qenë të pranishëm në ngjarjen ku dyshohet se ka vrarë veten Besnik Pudja dhe janë përpjekur ta fshehin atë. Alges Liçi ka mbetur i plagosur në krah nga predha, e cila ka dalë nga arma që ka sjellë vdekjen e 36-vjeçarit.

Ndërsa i shpalluri në kërkim dyshohet se në bashkëpunim me viktimën kanë kultivuar kanabis./ TV KLAN