Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se po tenton të kontrollojë procesin e hapjes së dosjeve duke përjashtuar opozitën nga e drejta e përfaqësimit në autoritetin për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Nënkryetari i PD, Edmond Spaho tha se kjo bëhet me qëllim që kreu i qeverisë të fusë duart në sistemin e drejtësisë nëpërmjet kontrollit të lidhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve me të shkuar komuniste. Spaho tha se opozita është e përjashtuar si në strukturën që do të bëjë vetting-un, ashtu edhe në atë që do të merret me hapjen e dosjeve.

Nënkryetar i PD, Edmond Spaho:

Për rrjedhojë me hapin e radhës të ndërmarë nga Edi Rama, hapjen e dosjeve do ta kryejë mazhoranca, derivatet e Partisë së Punës të cilët i kemi në këtë mazhorancë, dhe për më tepër, verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për sistemin e ri të drejtësisë, gjithashtu do ta bëjnë derivatet e Partisë së Punës duke përjashtuar tërësisht opozitën. Edi Rama me një gur dëshiron të vrasë dy zogj, të kapë edhe procesin e hapjes së dosjeve të ish – Sigurimit të Shtetit, por njëkohësisht të fusë duart edhe në sistemin e drejtësisë, nëpërmjet kontrollit të lidhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve me të shkuarën komuniste, pra atë që parashikohet në procesin e Vettingut.

Spaho tha se opozita kishte rënë dakord me maxhorancën që edhe ajo të kishte një përfaqësues të saj në përbërje të autoritetit të hapjes së dosjeve.

Sipas tij shumica do të këtë tre përfaqësues të saj, përfshi edhe atë të kryeministrit në autoritet, ndërsa një anëtar është nga shoqëria civile dhe një tjetër nga shoqata e të përndjekurve./ TV KLAN